Trupat ukrainase sulmojnë me raketa zonën e kontrolluar nga Rusia, në jug të Ukrainës

July 12, 2022
min lexim

Autoritetet ruse dhe ato ukrainase japin të dhëna të ndryshme rreth një sulmi nga ana e trupave të Ukrainës në rajonin e Khersonit, që shtrihet në pjesën jugore të vendit. 

Sipas palës ukrainase, një raketë me rreze të gjatë veprimi goditi një depo municionesh ruse në qytetin Nova Kakhovka, duke vrarë 52 trupa ruse. 

Saktësia e goditjes sugjeron që forcat ukrainase kanë përdorur sistemet raketore të lëvizshme që kanë kapacitete të lëshojnë njëkohësisht shumë raketa, të njohura si “HIMARS”, e të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara. 

Nga ana tjetër Moska thotë se sulmi ukrainas goditi infrastrukturën civile, mes tyre një treg, një spital e shtëpi. 

Një fotografi satelitore e analizuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press” tregonte dëme të konsiderueshme. Një krater masiv ishte hapur pikërisht aty ku dikur në qytet ndodhej një strukturë e madhe e ngjashme me një magazinë. 

Ditët e fundit autoritetet në Ukrainë kanë bërë të ditur se mund të nisin një kundërofensivë për të rimarrë territore në jug të vendit, ndërsa Moska duket se po i përqëndron burimet për të kapur të gjithë rajonin lindor të Donbasit. 

Ukraina ka tashmë tetë sisteme “HIMARS”, një sistem raketë-lëshues me saktësi të lartë, të montuar në një automjet dhe Uashingtoni ka premtuar të dërgojë edhe katër të tjera. 

Po në Ukrainë, por në një rajon tjetër, gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e bombardimeve nga ana e trupave ruse janë vrarë të paktën 16 civilë dhe plagosën 48 të tjerë, njoftoi të martën zyra e presidentit. 

Nëntë civilë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në provincën Donetsk, e cila përbën gjysmën e Donbasit. Sulmet me raketa ruse kishin në shënjestër qytetet Sloviansk dhe Toretsk, ku u godit edhe një kopsht fëmijësh. 

Ushtria britanike bëri të ditur të martën se Rusia po vazhdon të bëjë “përparime të vogla, por në rritje” në Donetsk. Si pasojë e luftimeve të ashpra, javën e kaluar guvernatori i provincës u bëri thirrje 350,000 banorëve që vazhdojnë të jetojnë aty, të largohen drejt zonave më sigurta në Ukrainën perëndimore. 

Megjithatë, shumë në Donbas, një rajon i përbërë nga provincat Donetsk dhe Luhansk, refuzojnë të largohen ose nuk janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë, pavarësisht se çdo javë po vriten e plagosen me dhjetëra civilë. 

Autoritetet britanike thanë gjithashtu se Rusia ka të ngjarë të vazhdojë të ushtrojë trysni mbi forcat ukrainase, ndërsa “rigrupohet për ofensiva të mëtejshme në të ardhmen e afërt”./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

3 teknika për t’u lënë një përshtypje të mirë njerëzve herën e parë, sipas ekspertëve

Story i radhës

I rritet dënimi shoferit që e shkeli për vdekje 24-vjeçaren në Shkup

Të fundit nga

ShkoLartë