“Trupat e Koresë së Veriut bombardohen në rajonin e Kurskut”, ukrainasit sulmojnë ushtarët e Kim Jong un në Rusi

November 5, 2024
min lexim

Trupat e Koresë së Veriut që u dërguan në Rusi kohët e fundit për të mbështetur ushtrinë ruse në luftën e saj në Ukrainë, janë sulmuar nga forcat ukrainase, tha të martën një zyrtar ukrainas. Kjo është hera e parë që një zyrtar ukrainas njofton se njësitë ushtarake të Phenianit janë sulmuar pas dislokimit të tyre, i cili paraqet një ndërlikim të ri në luftë. “Trupat e Koresë së Veriut janë bombarduar, në rajonin e Kurskut”, tha shefi i sektorit të kundërpërgjigjes ndaj dezinformimit Andrii Kovalenko përmes një postimi në platformën Telegram. Ai nuk dha detaje tjera.

Qeveritë perëndimore kishin parashikuar që ushtarët e Koresë së Veriut do të dërgoheshin në rajonin kufitar të Kurskut, në brendësi të Rusisë, ku para 3 muajsh ushtria ukrainase mori nën kontroll disa territore ruse, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke turpëruar Kremlinin. Sipas vlerësimeve të agjencive të zbulimit të Shteteve të Bashkuara, të Koresë së Jugut dhe Ukrainës, Pheniani ka dërguar rreth 12,000 forca në luftë në kuadër të një marrëveshjeje me Moskën.

Forcat e Koresë së Veriut, cilësia e të cilëve në fushëbetejë mbetet e panjohur, po i kontribuojnë përkeqësimit të situatës në fushëbetejë në Ukrainë. Ushtria ukrainase, sidomos në rajonin e Donetskut, ka filluar të ndjejë trysninë e sulmit të vazhdueshëm rus. Përparimet e Rusisë në terren janë përshpejtuar gjatë muajve të fundit, me fitore në fushëbetejë, që në disa raste shkojnë deri në 9 kilometra në zona të ndryshme të Donetskut, njoftoi të martën Ministria britanike e Mbrojtjes përmes një postimi në platformën X.

Sipas saj, Rusia ka numerikisht më shumë forca dhe përkundër numrit të madh të humbjeve në ushtarë, Kremlini po tregohet i suksesshëm në procesin e rekrutimit, duke arritur të dërgojë forca të reja në fushëbetejë. Rusia ka përparuar në fushëbetejë gjatë vitit të fundit. Zyrtarët ukrainas janë ankuar prej kohe që përkrahja ushtarake e Perëndimit po vonon.

Në fillim të tetorit, forcat ruse morën nën kontroll Vuhledarin, një qytet në maje të një kodre me rëndësi taktike në pjesën lindore të Ukrainës. Ai ishte pjesë e rëndësishme në frontin lindor të mbrojtjes së Ukrainës. Objektivat e ardhshme të Rusisë mendohet të jenë një pikë logjistike në Pokrovsk dhe qyteti i rëndësisë strategjike Chasiv Yar.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj vendbanimeve, sipas autoriteteve.Një sulm të martën në mëngjes në qytetin Zaporizhia shkaktoi vdekjen e gjashtë personave dhe plagosjen e 16 të tjerëve, sipas guvernatorit rajonal Ivan Fedorov.  Shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andrii Yermak, tha se sulmet ruse “duhet të ndalen me një veprim të fuqishëm”.

“Duhet një qëndrim më i fuqishëm i aleatëve perëndimorë të Ukrainës”, shkroi ai në platformën Telegram./Voa

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Emërohet drejtori i ri i policisë së kryeqytetit

Story i radhës

Richard Gere shet shtëpinë e tij në Konektikat për 10.75 milionë dollarë dhe transferohet në Spanjë

Të fundit nga

ShkoLartë