Paralajmërimi i presidentit amerikan, Donald Trump se do t’i shesë Ukrainës armë amerikane përmes NATO-s ka shkaktuar reagime të ashpra brenda vetë kampit të tij politik.
Disa figura të shquara të lëvizjes “Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore” (MAGA), përfshirë kongresisten republikane, Marjorie Taylor Greene dhe ish-këshilltarin e Trumpit, Steve Bannon, e kanë dënuar këtë veprim si tradhti ndaj një prej premtimeve kyçe të fushatës – për t’i dhënë fund përfshirjes së SHBA-së në luftëra të huaja.
Trump, kujtojmë, dje njoftoi se do t’i dërgojë armë Ukrainës me kusht që furnizimet të paguhen nga vendet evropiane. Ai gjithashtu i ka kërcënuar Rusisë me tarifa të reja, shumë të larta, nëse nuk arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës brenda 50 ditësh.
Marjorie Taylor Greene, kongresiste nga Georgia dhe një nga aleatet më besnike të Trumpit në Kongres, paralajmëroi se vendimi i presidentit bie ndesh me vlerat që përfaqësuesit e MAGA kanë promovuar gjatë fushatës, raporton bbc.
“Nuk është vetëm çështja e Ukrainës, por e të gjitha luftërave të huaja dhe ndihmës së tepërt ndërkombëtare”, tha Greene për New York Times, duke shtuar se “kjo ishte një pikë themelore e fushatës sonë. E kam thënë qartë në distriktin tim. Njerëzit votuan për këtë. Dhe mendoj se nuk duhet të heqim dorë nga ky qëndrim”.
Trump theksoi se armët nuk do të dhurohen, por do të shiten “nuk po i blejmë ne, do t’i prodhojmë dhe ata do t’i paguajnë”, tha dje presidenti amerikan.
Megjithatë, Greene, e cila rrallë e kritikon publikisht Trumpin, shprehu dyshime se taksapaguesit amerikanë do të shpëtojnë nga kostot. Në një postim në rrjete sociale, ajo sulmoi “marrëveshjet që bëhen pas dyerve të mbyllura nëpërmjet NATO-s”.
“Pa asnjë dyshim, po përdoren paratë e taksapaguesve amerikanë”, tha Greene në të njëjtën intervistë për New York Times, duke shtuar se shpenzimet indirekte – si misionet amerikane për trajnime apo kontributet e tjera në NATO – gjithashtu mund të konsiderohen si përfshirje.
“Në çdo tubim kam thënë qartë: asnjë dollar më shumë për Ukrainën. Ne duam paqe. Duam vetëm që ata njerëz të jetojnë në paqe”, deklaroi Greene, dhe shtoi se “dhe e dini çfarë? Njerëzit ende duan këtë”.
Në një intervistë për BBC të publikuar sot, menjëherë pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se Aleanca “tani po paguan faturat e veta”.
Ai shprehu mbështetje për parimin bazë të mbrojtjes së përbashkët, por gjithashtu tregoi zhgënjim me sjelljen e presidentit rus, Vladimir Putin “jam i zhgënjyer, por ende nuk kam hequr dorë prej tij”.
Trump shtoi se në katër raste kishte menduar se një marrëveshje paqeje me Moskën ishte afër, por çdo herë pa rezultat.
Burimi: botasot.info


