Trump: Takim produktiv me kryeministrin kanadez, diskutuam mbi kufirin dhe tregtinë

December 1, 2024
min lexim

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha të shtunën se kishte patur një takim “shumë produktiv” me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, në të cilin diskutuan çështje të lidhura me kufirin dhe tema të tjera, përfshirë tregtinë, energjinë dhe Arktikun.

Diskutuam shumë tema të rëndësishme për të cilat do të duhet që të dyja vendet të punojnë së bashku për t’i trajtuar, si kriza e fentanilit dhe e drogës, që ka shkatërruar kaq shumë jetë si rezultat i emigracionit të paligjshëm, marrëveshjet e tregtisë së drejtë që nuk do të rrezikojnë punëtorët amerikanë, si dhe deficitin masiv tregtar që Shtetet e Bashkuara kanë me Kanadanë”, tha Presidenti i zgjedhur Trump në një postim në rrjetin Truth Social.

“(Kryeministri) Trudeau u angazhua për të punuar me ne për t’i dhënë fund këtij shkatërrimi të tmerrshëm të familjeve amerikane”, shtoi ai.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau udhëtoi me avion drejt Floridas të premten, për një darkë me Presidentin e zgjedhur Donald Trump në klubin e tij Mar-a-Lago, pasi zoti Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa masive ndaj produkteve kanadeze.

Presidenti i zgjedhur Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa për produktet nga Kanadaja dhe Meksika, nëse këto dy vende nuk ndalin atë që ai e quajti fluksin e drogës dhe emigrantëve nëpërmjet kufijve të tyre. Ai tha se do të vendoste një taksë 25% për të gjitha produktet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja dhe Meksika, si një nga urdhrat e tij të parë ekzekutivë.

Një person i njohur me detajet e quajti një “darkë pozitive të zgjeruar, që zgjati tre orë”. Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe foli për agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti, tha se temat përfshinin tregtinë, sigurinë kufitare, fentanilin, mbrojtjen, Ukrainën, NATO-n, Kinën dhe naftësjellësat, si dhe takimin e G7-ës në Kanada vitin e ardhshëm.

Megjithëse gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti Trump e quajti Kryeministrin Trudeau “të dobët” dhe “të pandershëm”, lidhjet mes dy vendeve kanë mbetur ndër më të afërtat në botë. Kryeministri kanadez Trudeau bëhet kështu udhëheqësi i parë nga vendet e G7-ës që viziton Presidentin e zgjedhur Donald Trump, pas fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Së bashku me Presidentin e zgjedhur Trump dhe Kryeministrin Trudeau në darkë merrnin pjesë edhe Howard Lutnick, i emëruari i Presidentit të zgjedhur Trump për sekretar të tregtisë; guvernatori i Dakotës së Veriut Doug Burgum, i përzgjedhur për të drejtuar Departamentin e Brendshëm; Mike Waltz, i përzgjedhur për detyrën e këshilltarit për sigurinë kombëtare; si dhe bashkëshortet e tyre.

Gjithashtu në darkë ishin David McCormick, senatori i sapozgjedhur nga Pensilvania, dhe bashkëshortja e tij, Dina Powell, ish-zëvendës këshilltare për sigurinë kombëtare në administratën e parë Trump, si dhe ministri kanadez i sigurisë publike Dominic LeBlanc, në portofolin e të cilit përfshihet edhe siguria kufitare, si dhe Katie Telford, shefe e kabinetit të Kryeministrit Trudeau.

Zoti McCormick postoi një foto në rrjetin X të grupit të ulur në një tryezë të rrumbullakët në oborrin e Mar-a-Lagos.

Ekipi i tranzicioni i Presidentit të zgjedhur Trump nuk iu përgjigj pyetjeve rreth çështjeve që ishin diskutuar, ose nëse biseda zbuti shqetësimet e presidentit të zgjedhur për kufirin./VOA

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Hansi Flick: Nuk ishte dita jonë, më gëzon kthimi i Yamal

Të fundit nga

ShkoLartë