Trump ndalon fondet për mediat publike amerikane, akuzohen për njëanshmëri

May 2, 2025
min lexim

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv që synon të ndalojë financimin publik për NPR dhe PBS, dy media publike të pavarura që shpesh kanë qenë në shënjestër të kritikave të republikanëve për shkak të asaj që ata e konsiderojnë raportim të njëanshëm, sipas Politico.

Urdhri, i cili u nënshkrua në mënyrë të fshehtë në bordin e Air Force One dhe u bë publik nga Shtëpia e Bardhë rreth mesnatës, përfaqëson hapin më të ashpër deri më tani në përplasjen e administratës Trump me mediat.

Në përmbajtjen e tij, urdhri akuzon NPR dhe PBS për “raportim të njëanshëm dhe partizan” dhe i bën thirrje Korporatës për Transmetime Publike – një entitet privat që merr mbi 500 milionë dollarë në vit nga Kongresi – që të “ndalojë financimet e drejtpërdrejta aktuale në masën më të madhe të mundshme sipas ligjit dhe të mos sigurojë fonde në të ardhmen” për këto media.

“Pikëpamjet që promovojnë NPR dhe PBS nuk janë thelbësore”, thuhet në urdhër. “Çështja kryesore është se asnjëra nuk ofron një pasqyrë të drejtë, të saktë dhe të paanshme të zhvillimeve aktuale për qytetarët tatimpagues”.

PBS merr rreth 15 për qind të të ardhurave vjetore nga financimi federal, ndërsa NPR afërsisht 1 për qind. Përveç lajmeve, PBS prodhon edhe përmbajtje të tjera.

Urdhri pritet të përballet me sfida ligjore, shkruan Politico.

Gjatë muajve të fundit, si Trump ashtu edhe republikanët në Kongres kanë paralajmëruar shkurtimin e financimit për këto rrjete. Në mars, drejtorët e NPR dhe PBS dëshmuan para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve për të mbrojtur nevojën për mbështetje federale.

As NPR dhe as PBS nuk dhanë komente menjëherë pas publikimit të urdhrit.

Në dëshminë e saj në mars, Katherine Maher, presidente dhe CEO e NPR, theksoi pavarësinë editoriale të rrjetit dhe kërkoi nga Kongresi që “të na lejojë të vazhdojmë t’u shërbejmë qytetarëve me këtë burim të pazëvendësueshëm”.

Ndërkohë, CEO e PBS, Paula Kerger, deklaroi të martën në transmetim se shumë stacione lokale do të kishin vështirësi të mbijetonin pa fondet federale. “Kjo është një pasuri e çmuar për komunitetet dhe nuk do të mund të ekzistonte pa mbështetjen e qeverisë”, tha ajo.

Po në mars, Trump nënshkroi një tjetër urdhër që synonte të kufizonte aktivitetin e Voice of America, një tjetër media e pavarur e financuar nga qeveria, e cila gjithashtu është kritikuar nga presidenti për njëanshmëri. Ai urdhër është bllokuar më pas nga një gjykatës federal.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

Story i mëparshëm

​Mumia misterioze në Austri, zbulohen detaje të reja

Story i radhës

Drenasi konfirmohet si komuna më e suksesshme në performancën komunale

Të fundit nga

Fëmijët festojnë në sheshet e Prishtinës

Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, sheshet e Prishtinës ishin mbushur me ngjyra plot e fëmijë të cilët po festonin ditën e tyre. Për ta është përkujdesur edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen
sqmken
ShkoLartë