Kur diplomacia dështon, armët dhe shkatërrimet në masë dalin në skenë. Presidenti amerikan, Donald Trump, u shpreh i pakënaqur me ofertën e fundit të Iranit në negociatat për paqe dhe ofroi dy opsione për lidershipin në Teheran, të cilin e konsideroi të përçarë në 4 pjesë.
“Kemi opsione. A duam thjesht të lëshojmë ferrin mbi ta duke i bombarduar fort dhe t’i zhdukim përgjithmonë? Apo duam të përpiqemi të bëjmë një marrëveshje. Këto janë opsionet. Preferoj më shumë opsionin njerëzor, pra jo bombardimet. Por këto janë opsionet: a duam të hyjmë atje fuqishëm dhe thjesht t’i shkatërrojmë, apo duam të bëjmë diçka?”
Presidenti Donald Trump e quajti ligjin që kufizon përdorimin e forcës pa autorizimin e Kongresit “krejtësisht jokushtetues”, duke sinjalizuar se nuk do të kërkonte leje zyrtare nga Kongresi për të vazhduar luftën me Iranin. Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë “sasi të jashtëzakonshme armësh në inventar” në të gjithë botën.
“Në fakt, kemi më shumë sesa kemi pasur ndonjëherë, sepse në të gjithë botën kemi inventar dhe mund ta marrim nëse na nevojitet, por në të gjithë botën kemi sasi të jashtëzakonshme armësh në inventar, për shembull, armët më të mira janë në stok, gati për përdorim. Tani për tani, kemi më shumë se dyfishin e asaj që kishim kur filloi kjo luftë”, theksoi Trump.
Ai kritikoi paraardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, për furnizimin e Ukrainës me armë amerikane. Megjithatë, CNN raportoi muajin e kaluar se ushtria amerikane ka varfëruar ndjeshëm rezervat e saj të raketave kryesore gjatë luftës me Iranin.
Ndërkohë, Presidenti Donald Trump tha se nuk është “i kënaqur” me grupet kurde që supozohej se do t’u dorëzonin armë amerikane protestuesve në Iran për të nxitur një kryengritje. Sakaq, Udhëheqësi Suprem iranian Mojtaba Khamenei iu rikthye komunikimit me popullin e tij nëpërmjet një mesazhi të shkruar.
Ai e bëri këtë duke sulmuar dhe tallur drejtpërdrejt fuqinë ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik: “Bazat ushtarake amerikane, tigra të vërtetë letre, nuk mund të garantojnë as sigurinë e tyre, e lëre më atë të ndjekësve të tyre në rajon”, shkruan lideri suprem Iranian.
Burimi: opinion.al


