Një burrë është përballur me një pamje tronditëse mëngjesin e sotëm në një pyll në shtetin e Rhine-Westphalia, Gjermani.
Në lagjen Warendorf, një punëtor ndërtimi u tmerrua kur pa një vajzë 13-vjeçare me duart e lidhura me tela dhe pa ndjenja.
13-vjeçarja ishte e shtrirë pranë një peme, siç raporton gazeta gjermane “Bild” dhe në atë kohë dyshohet se e mitura ishte duke shkuar në shkollë me biçikletën e saj, e cila u gjet pranë 13-vjeçares së bashku me çantën e shpinës.
Pranë vendit të ngjarjes ndodhet një kantier ndërtimi dhe punëtorët vrapuan për t’i dhënë ndihmën e parë vajzës, siç tha një përfaqësues i Policisë.
Konkretisht, ndërtuesit që punojnë aty e kanë mbuluar dhe ngrohur me xhaketa nxënësen e mitur, derisa ka mbërritur ambulanca për ta transportuar në spital.
Adoleshentja u transferua pak më vonë në spitalin ku po trajtohet dhe sipas shtypit gjerman jeta e saj nuk është në rrezik.
Policia po kryen hetime për zbardhjen e rastit, por deri më tani mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Vajza nuk mban mend asgjë.
Megjithatë, nuk ka shenja përdhunimi, tha një përfaqësues i Policisë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që vajza të jetë “viktimë aksidentale” e autorit të sulmit.
Për publikun nuk janë bërë të ditura informacione të mëtejshme për rastin, ndërsa aktualisht janë duke shqyrtuar deklaratat e dëshmitarëve dhe prindërve.
Vendndodhja është rrethuar nga forcat e policisë në kërkim të provave. Një qen “gjurmues” i trajnuar posaçërisht dhe qindra vullnetarë po ndihmojnë në operacion.
Burimi: GAZETA.MK