Mesditën e sotme fshati Sllatinë tronditet nga lajmi tragjik, ku në shtëpinë e tyre familjare janë gjetur të vdekura nëna 36 vjeçare dhe e bija 4 vjeçare, ndërsa bashkëshorti R.SH(50) dhe djali i tij i mitur do të transferohen për ndihmë mjekësore në Spitalin Klinik të Tetovës. Rastin tragjik e konfirmojnë edhe nga SPB-Tetovë.
Nga SPB-Tetovë bëjnë të ditur se në bashkëpunim me prokurorin publik kanë kryer inspektim në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë të të ndjerve janë dorëzuar për obduksion.
“Sot (8 -tetor) rreth orës 14:00 në SPB Tetovë T.J. nga Tearca në cilësinë e mjekut ka raportuar se është thirrur për intervenim në fshatin Sllatinë nga M.Z. nga Sllatina e Tetovës, e cila në shtëpinë e tyre familjare ka gjetur pa shenja jete vajzën e saj K.Sh (36) dhe mbesën e saj të mitur, ku është konstatuar vdekja. Menjëherë pas raportimit është vepruar dhe është siguruar vendi ku ekipi nga SPB Tetovë në bashkëpunim me prokurorin publik kanë kryer inspektimin dhe me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë të të ndjerëve janë dorëzuar për obduksion, ndërsa bashkëshorti i saj R.Sh. (50) së bashku me djalin e tij të mitur, do të transferohen për ndihmë mjekësore në Spitalin klinik të Tetovës, e më pas personi R.Sh. do të ndalohet në Komisariat për veprime të mëtejshme”, thonë nga SPB-Tetovë.
Burimi: tv21