Një krim i rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në provincën e Agrigento në Itali ku një çift është gjetur i vrarë brenda shtëpisë së tyre.
Mediat italiane shkruajnë se ishte vajza e çiftit që i gjeti ata të pajetë në katin e tretë të një ndërtese në lagjen Stazione.Rosa Sardo, 61 vjeç dhe burri i saj Giuseppe Sedita, 66 vjeç ishin prindër të 6 fëmijëve, ndërsa autoritetet hedhin dyshime të forta se autori i krimit ishte djali i vogël i tyre Salvatore, 34 vjeç.
Për familjen Sedita, mbrëmja e sotme duhet të ishte një mbrëmje feste, pasi kryefamiljari, kishte ditën e fundit të punës dhe familja kishte kohë që organizonte një darkë për të festuar daljen e tij në pension. Megjithatë, sipas fqinjëve, në shtëpi prej ditësh kishte debate të ashpra.
Autori i krimit po merret në pyetje dhe dyshohet se ka probleme me shëndetin mendor. Sipas hetimeve të para, vrasja ka ndodhur shumë orë përpara zbulimit të trupave, pasi gjaku ishte mpiksur, por autopsia do të zbulojë kohën e saktë kur ata ndërruan jetë.
Burimi: GAZETA.MK