Një fund tragjik kanë marrë ditët e gjata të kërkimit të Flamur Kolmarkut, ish-ushtarakut të karrierës dhe një prej drejtuesve të Gardës së Republikës, i cili rezultonte i zhdukur prej pasdites të së enjtes.
Lajmi i hidhur është konfirmuar mëngjesin e kësaj të diele për Newsbomb nga bashkëshortja e tij, e cila mes dhimbjes së madhe bëri me dije se Kolmarku është gjetur pa shenja jete.
“E gjetëm, ka ndërruar jetë”, tha ajo për redaksinë tonë, duke konfirmuar fundin e trishtë të disa ditëve ankthi për familjen, miqtë dhe të afërmit të cilët nuk lanë “gur” pa lëvizur për ta gjetur.
Prej momentit kur u largua nga banesa të enjten pasdite, familjarët nisën menjëherë kërkimet duke apeluar për ndihmë dhe duke shpërndarë informacion në rrjetet sociale e media. Për ditë me radhë ata e kërkuar pa ndërprerje në disa zona të vendit, me shpresën se do ta gjenin shëndoshë e mirë.
Flamur Kolmarku ishte një ushtarak karrierë dhe për më shumë se dy dekada shërbeu në nivelet më të larta të Gardës së Republikës, institucionit të ngarkuar me sigurinë e personaliteteve më të larta shtetërore. Gjatë viteve të shërbimit ai ishte një figurë e njohur dhe e respektuar në radhët e strukturave të sigurisë.
Familjarët kishin bërë me dije se 55-vjeçari vuante nga një formë e veçantë e demencës, sëmundje e cila i kishte shkaktuar probleme të theksuara me kujtesën. Sipas tyre gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar gradualisht vitet e fundit.
Burime pranë familjes tregojnë se problemet shëndetësore nisën të shfaqeshin pas periudhës së vështirë që Kolmarku kaloi gjatë infektimit me Covid-19. Ai luftoi për jetën në atë dhe më pas për shkak të detyrës që mbante, iu kërkua të kryente vaksinimin për të vijuar aktivitetin normal në institucionet shtetërore.
Por, pas kësaj periudhë familjarët kishin vënë re ndryshime të vogla në gjendjen e tij, të cilat me kalimin e kohës u bënë dhe më të dukshme. Megjithatë për më shumë se dy vite analizat dhe kontrollet mjekësore rezultonin normale dhe nuk evidentonin probleme, ndërkohë që mjekët vetëm së fund i arritën që t’i jepnin diagnozën e gjendjes së tij, një formë të veçantë demence.
Për shkak të diagnozës së vendosur ai kishte nisur së fundmi trajtimin me medikamente specifike për demencën dhe gjumin, ndërsa deri pak kohë më parë nuk merrte asnjë mjekim pasi rezultatet e analizave dilnin të gjitha brenda normale.
Siç raportuam dhe më herët mjekët që e kishin ndjekur u kishin sugjeruar familjarëve se për shkak të sëmundjes Kolmarku mund të ishte drejtuar instinktivisht drejt zonave ku kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë, si Mamurrasi, Rubiku apo Kurbneshi. Për herë të fundit ai ishte raportuar se ishte parë duke lëvizur nga Bulqiza në drejtim të Burrelit dhe më pas në aksin Burrel-Urakë. Këto informacione orientuan kërkimet e familjarëve dhe autoriteteve përgjatë ditëve të fundit.
Gjetja e tij pa shenja jete mëngjesin e sotëm i ka dhënë fund shpresës së familjes duke i lënë ata në një dhimbje të thellë. Familjarë, miqtë dhe të njohur kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Flamur Kolmarkut, duke e kujtuar atë si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe detyrës, që për dekada i shërbeu vendit në strukturat e sigurisë.
Burimi: botasot.info


