Tri komuna do të bëhen me çerdhe të reja, edhe kryeqyteti me shkollë të re

min lexim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI) ka nënshkruar kontratat për ndërtimin e çerdheve në Kaçanik, Dragash dhe Fushë Kosovë, vlera e përgjithshme e të cilave kap shifrën mbi tre milionë euro, si dhe të një shkolle të re në kryeqytet në vlerë 3.3 milionë euro.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja Arbërie Nagavci përmes një postimi në Facebook.

Objekti i çerdhes së re, e destinuar për 40 fëmijë në Rekë-Vatë Kaçanik, me sipërfaqe 740 metra katrorë dhe ka shifrën e kontratës 1 milion e 96 mijë e 43 euro. Ndërsa çerdhja e re në Brodosan Dragash, me sipërfaqe 740 metra katrorë, e destinuar për 40 fëmijë, ka vlerën e kontratës 1 milion e 82 mijë e 568 euro.

Objekti i çerdhes në Fushë Kosovë me sipërfaqe 873 metra katrorë, e destinuar për 40 fëmijë, do të kushtojë 1 milion e 282 mijë e 282 euro, ndërsa objekti i shkollës së re në Prishtinë, me sipërfaqe 6 mijë e 430 metra katrorë, i destinuar për 800 nxënës, ka vlerën e kontratës 3 milionë e 323 mijë e 232 euro.

Nagavci është zotuar se ministria që ajo drejton do të angazhohet që secili fëmijë në Kosovë të ketë vend në institucionet e dijes për zhvillimin dhe aftësimin e mëtejshëm në jetë.

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

​Subvencionet për familjet me asistencë sociale, ekspertët thonë se janë jo efektive

Story i radhës

Fjalët që tregojnë se jeni të stresuar

Të fundit nga