Ish-sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet pret gjëra të mëdha nga ylli i Milanit, Rafael Leao në Kupën e Botës në Katar.
Sulmuesi 23-vjeçar i kuqezinjve do të presë të luajë një rol të rëndësishëm për Portugalinë në këtë turne, kompeticionin e tij të parë të madh për ekipin kombëtar.
Duke folur për “SportËeek”, Trezeguet foli shumë për Leaon dhe pritshmëritë e tij për sulmuesin e Milanit në Kupën e Botës.
“Leao mund të jetë një nga protagonistët në Kupën e Botës. Ai është një lojtar ndryshe. Është e vërtetë që për momentin ai është vendimtar në ligë dhe më pak në Ligën e Kampionëve, por ai po rritet.”, tha francezi.
“Unë mendoj se ai bën mirë nëse luan duke u argëtuar. Dhe nëse argëtohet, është fantastik për t’u parë, sepse në fushë ai nuk lufton, as nuk djersitet.”, shtoi ai.
23-vjeçari ishte një figurë kyçe në suksesin e Milanit deri te titulli sezonin e kaluar, duke shënuar 11 gola dhe duke dhënë 10 asistime në 34 ndeshje në Serie A. Këtë sezon ai ka qenë po aq i rëndësishëm për kuqezinjtë, duke shënuar shtatë dhe duke kontribuar me nëntë asistime në 20 ndeshje në ligë dhe Champions League.
Sulmuesi portugez është lidhur gjithnjë e më shumë me Chelsean dhe deri më tani nuk duket afër lidhjes së një kontrate të re me Milanin.