Shkup, 16 nëntor – Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot e hapi pjesën e dytë të Konferencës ministrore “Menaxhim i qëndrueshëm i emigracionit në Ballkanin Perëndimor” me fjalim hyrës, e cila po mbahet për ditën e dytë në Shkup, ku marrin pjesë ambasadorë, ministra, ekspertë dhe mysafirë të tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropës, Azisë dhe SHBA-së.
Ministrja Trençevska iu referua periudhës rreth vitit 2015, kur Republika e Maqedonisë së Veriut u përball, para së gjithash, siç tha ajo, me një krizë humanitare, natyrisht edhe me sigurinë në funksion të lëvizjeve ndërkufitare, të shkaktuara nga një masë e papritur e fluksit të emigrantëve në kufirin tonë jugor.
“Mbi 1 milion njerëz kanë qenë në tranzit në periudhën 2015-2016 dhe kemi pasur periudha kur mbi 10 mijë emigrantë kalonin çdo ditë nëpër territorin tonë duke kërkuar një mënyrë për të arritur në vendet-anëtare të Bashkimit Evropian. Edhe ne, si vendet e rajonit dhe të BE-së, u përpoqëm menjëherë t’i mbrojmë njerëzit vulnerabël, që është edhe mandati kryesor i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Të mbështetur nga partnerët tanë UNHCR, IOM dhe UNICEF, ne filluam me organizimin e ekipeve të punonjësve socialë, psikologëve, edukatorëve dhe përkthyesve, të cilët ofruan strehim të organizuar, mbështetje psikosociale, ndihmë humanitare në ushqim dhe strehim, arsim joformal dhe kënde për fëmijë në bashkëpunim me vendasit dhe organizatat ndërkombëtare joqeveritare”, theksoi Trençevska.
Ajo theksoi se kriza e vitit 2015 solli përvoja krejtësisht të reja, sfida të reja që kërkonin zgjidhje të reja ligjore dhe operacionale për të menaxhuar të ashtuquajturat flukse të përziera migruese.
Ministrja theksoi se në procesin e menaxhimit të situatës së krizës, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Shëndetësisë, një numër i caktuar i emigrantëve kanë kërkuar azil, gjegjësisht mbrojtje ndërkombëtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe se MPPS, si bartëse kryesore e të drejtave socio-ekonomike, ka përgjegjësinë më të madhe për sigurimin e aksesit të refugjatëve dhe personave nën mbrojtje plotësuese në shërbimet sociale, strehimin, punësimin dhe sigurimet shëndetësore.
Ministrja theksoi se zbulimi në kohë i mundësisë që ndonjë person, veçanërisht një fëmijë, mund të përfshihet në trafikimin e qenieve njerëzore është bazë për ndërhyrje në kohë për të parandaluar shfrytëzimin dhe për të ofruar mbështetje në kohë.
Ajo theksoi se në përputhje me rekomandimet e njësisë ndërkombëtare është formuar një Ekip operativ, në të cilin përveç prokurorisë, MPB-së dhe MPPS është përfshirë edhe shoqata e qytetarëve si pjesë e ekipit për identifikimin zyrtar të viktimave dhe viktimave potencialë të trafikimit të qenieve njerëzore.
Ministrja e Punës dhe Politikës shprehu besimin se konferenca e sotme do të jetë nxitje për të promovuar më tej vlerat e migracionit legal në vendet tona dhe për të mbrojtur të drejtat e “personave në lëvizje” të së ardhmes (qoftë ky migracion vullnetar apo i detyruar), dhe duke i penguar ata nga kurthet e trafikantëve të qenieve njerëzore.
Burimi: zhurnal.mk