Shkup, 6 dhjetor – Shifrat tregojnë se në vitin 2021 shkalla e suksesit të “Garancisë për të rinjtë” është 41 për qind, ndërsa vetëm deri në korrik të këtij viti shkalla e suksesit të të rinjve që kanë hyrë në program dhe kanë dalë nga programi me punësim është 42 për qind, që do të thotë se deri në fund të vitit 2022, ajo përqindje do të jetë shumë më e lartë, deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska në Konferencën e sotme me titull “Youth Guarantee: Making it Happen”.
Ajo tha se Republika e Maqedonisë së Veriut ishte i vetmi vend jashtë Bashkimit Evropian që e zbatoi “Garancinë për të rinjtë” dhe vërtet në vitet e kaluara ka treguar rezultate të shkëlqyera.
“Është koha që të rinjve t’u kushtohet më shumë rëndësi, punësimit të tyre, t’i mbajmë këtu në vend, që të mos dalin jashtë shtetit”, theksoi ministrja Trençevska.
Krahas “Garancisë për të rinjtë”, ajo përmendi edhe praktikën përmes së cilës të rinjtë pa përvojë pune do të mund të fitojnë aftësi në kompanitë që aplikojnë për të marrë praktikantë të rinj.
Drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati, tha se vendi është një nga vendet e pakta që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe është duke e zbatuar këtë projekt.
“Ne jemi nga vendet e pakta që nuk jemi anëtare të BE-së dhe zbatojmë projektin “Garancia për të rinjtë”, ku ofrojmë punësim specifik për të gjithë të rinjtë deri në moshën 29 vjeç brenda katër muajve pas regjistrimit të parë, d.m.th. posaçërisht për të përdorur masat tona.
Ai shtoi se synimi është që kuadri i ri dhe të rinjtë të mbeten në këtë vend dhe se synimi i APRMV-së është, siç tha Murati, nëse në vitin 2021 do të përfshiheshin 12 mijë persona, këtë vit të paktën një mijë të tjerë do të përfshihen në të gjitha masat që zbatohen nga agjencia.
Në vitin 2022, Agjencia për Punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut është kryesuese e Qendrës së Shërbimeve Publike për Punësim të Vendeve të Evropës Juglindore (CPESSEC).
Kjo Qendër është themeluar në vitin 2007 si qendër rajonale për shkëmbimin e informacionit dhe përvojave për të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve për punëdhënësit, personat e papunë dhe forcimin e kapaciteteve të shërbimeve publike të punësimit në Evropën Juglindore.
Në Qendër anëtare janë shërbimet publike për punësim nga 10 vende, si Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Hungaria.
Burimi: zhurnal.mk