Tregu i sigurimeve u rrit me 10.25% për 6-mujorin/ Turizmi po jep ndikim të rëndësishëm!

min lexim

Tregu i sigurimeve e mbylli gjysmën e parë të vitit me rritje dyshifrore, i mbështetur sidomos nga sektorët e lidhur me turizmin dhe nga një tendencë në përmirësim në sigurimet e pronës. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, primet e shkruara bruto arritën vlerën e gati 9.8 miliardë lekëve, në rritje me 10.25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë muajit qershor, rritja e tregut ka shënuar një ngadalësim të lehtë në raport me rritjen prej 10.9% të 5-mujorit. Ngadalësimi ka ardhur kryesisht nga segmenti i sigurimit të Jetës, ku rritja është përgjysmuar në 9% (nga 18.1% që kishte për 5-mujorin), ndërsa tregu i sigurimit të Jo-Jetës e mbylli 6-mujorin me rritje në nivele të ngjashme me 5-mujorin, me një rritje 10.2%.

Tregu tashmë paraqitet në mënyrë të qëndrueshme për niveleve të periudhës së para pandemisë. Primet e shkruara bruto paraqiten në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Një ndikim të rëndësishëm në rritjen e tregut të sigurimeve edhe këtë vit po japin aktivitetet e lidhura me turizmin dhe udhëtimet, që shfaqin norma të larta të rritjes.

Sipas AMF, primet e shkruara bruto në produktin e kartonit jeshil u rritën me 46% kundrejt vitit të kaluar. Kartoni jeshil është siguracion i detyrueshëm, i kërkuar për të lëvizur jashtë vendit me një automjet të regjistruar në Shqipëri. Ky produkt këtë vit solli 9.25% të primeve të shkruara bruto, nga 7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritje të lartë shënoi edhe sigurimi i aksidenteve në udhëtim, me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe ky produkt është i lidhur kryesisht me udhëtimet jashtë vendit, por megjithatë në vlerë pesha e tij në tregun e sigurimeve është e vogël, me 3.1% të totalit.

Tjetër produkt që në mënyrë të tërthortë lidhet me turizmin është sigurimi Kasko. Për 6-mujorin 2022, primet e shkruara bruto në këtë produkt u rritën me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimi Kasko në Shqipëri aplikohet sidomos në financimet me leasing dhe veçanërisht në biznesin e makinave me qira. Edhe ky biznes po rritet falë shtimit të turistëve të huaj. Sipas INSTAT, për 6-mujorin e parë hyrjet e shtetasve të huaj ishin në nivelet më të larta historike.

Shumica e produkteve të tjera të tregut të sigurimeve këtë vit paraqiten në rritje. Produkti kryesor i tregut, sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, shënoi një rritje me 6.6% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa produkti kryesor i sigurimit vullnetar vazhdoi tendencën në përmirësim edhe gjatë muajit qershor. Për herë të parë këtë vit, ai kaloi nivelet e vitit të kaluar, me një rritje të primeve të shkruara prej 13.4%, ndërkohë që deri në fund të 5-mujorit rezultonte në rënie me 1.8%.

Ndërkohë, ndër të paktët produkte që paraqiten në rënie për 6-mujorin e këtij viti janë sigruimet e garancive dhe ato të përgjegjësive civile. Duke qenë se këto produkte sigurimi lidhen në një masë të konsiderueshme me punët publike, ecuria e ngadaltë e investimeve buxhetore në gjysmën e parë të këtij viti mund të ketë dhënë një ndikim frenues te këto produkte.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.0 godet Filipinet

Story i radhës

Mbi 9800 raste aktive me COVID-19

Të fundit nga