Libor Kozak është kthyer pas në kohë dhe ka sjellë në kujtesë sherrin që lindi mes tij dhe Igli Tares. Lojtari çek ka rrëfyer momentin kur dëshironte largimin drejt Aston Vilës në vitin 2013. Marrëveshja nuk po arrihej dhe Kozaku tregon se mori guximin të përballej me Igli Taren, duke e ofenduar këtë të fundit. Por shpejt e kupton sa gaboi, teksa drejtori sportiv shqiptar reagon menjëherë duke e kapur për qafe dhe duke i bërtitur.
“Për kartonin tim donin gjithnjë e më shumë para, madje 10 milionë euro. Dhe kështu marrëveshja nuk u mbyll. Tare më qetësoi, ai tha se përfundimisht ata do të uleshin me drejtuesit e Aston Vilës për të mbyllur marrëveshjen.
Por asgjë për të bërë, kështu që unë shkova te drejtori sportiv. U takuam në garazhin e qendrës së trajnimit. Mora frymë thellë dhe fillova ta shaj me gjithë fuqinë time. “Nëse të takoj në rrugë dhe më kërkon ndihmë, do të të q*!”.
Ende ndjej dhimbje për këtë qëndrim. Pas pak më kapi nga qafa dhe filloi të bërtiste. Ai tha se dikush si unë nuk duhet të lejohet t’i tregojë disa gjëra. Kishte njerëz të tjerë rreth nesh, por ata bënin sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
Pas pesë minutash mbaroi gjithçka. Shkova në shtëpi dhe qava. Kaluan disa orë dhe Tare më telefonoi dhe më tha që kalimi te Aston Vila ishte bërë. Fjalët e sharjeve dhe zënkat nuk duhen pothuajse asnjëherë, por ndonjëherë duken e vetmja zgjidhje.
Sidomos në Itali. Më pas lexova në gazetë se drejtori sportiv më uroi më të mirat për aventurën time të re dhe se isha një profesionist i madh”, ka rrëfyer Libor Kozaku.