​Trefishohet numri i pacientëve të hospitalizuar në Mjekësinë Fizikale dhe Rehabilitimit

December 6, 2024
min lexim

Kalimi i Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit në objektin e ri tash e dy vjet ka trefishuar numrin e pacientëve të hospitalizuar, por edhe është rritur llojshmëria e shërbimeve.

Derisa më herët, trajtim hospitalor merrnin rreth 100 pacientë në vit, me krijimin e hapësirave të reja, mbi 350 pacientë e kanë marr këtë lloj shërbimi vetëm këtë vit.

Tash e tri javë, Nazlie Shabani po qëndron e shtrirë në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, pas vendosjes së protezës në këmbën e djathtë. E pas kësaj ndërhyrje asaj i është dashur të marrë terapi fizikale, të cilat ia lehtësuan gjendjen shëndetësore.

Shabani tregon se gjendja e saj është përmirësuar pas trajtimit mjekësor që ka marrë në këtë klinikë.

Shabani: Jam e kënaqur me trajtimin, kam përmirësime çdo ditë e më shumë

“Shumë mirë, jemi të kënaqur, prej mjekëve, motrave në përgjithësi, fizioterapisë, fizioterapia më e mrekullueshme. Pa fizioterapi ky operim i imi nuk kalon suksesshëm…Për çdo ditë që jam këtu, që tri javë që jam e shtrirë në spital për çdo ditë kam ndryshime në këmbën time në përgjithësi se këmbën e kam të operuar se kam vendosur protezë. Shumë jam e kënaqur momentalisht prej të gjithë stafit mjekësor që tri javë ditë“, theksoi Shabani.

Përveç Nazlie Shabanit, deri në fillim të muajit dhjetor shërbime hospitalore kanë marr mbi 350 pacientë, prej tyre 60% kanë qenë post-operativ.

Ushtruesja e detyrës e drejtorit Klinikës të Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, Valbona Krasniqi thotë se falë kushteve më të mira dhe infrastrukturës, është rritur kualiteti i shërbimeve fizikale.

Ajo thekson se me zhvendosjen në hapësirat e reja të kësaj klinike është shtuar edhe numri i pacientëve.

Krasniqi: Është trefishuar numri i pacientëve të hospitalizuar

“Sigurisht që kushtet e diktojnë edhe mënyrën e punës edhe kualitetin në punë. Normalisht ne kemi funksionuar në një ambient të papërshtatshëm qoftë për personelin, por më shumë për pacientin. Por, me daljen në klinikën e re veç kanë kaluar dy vite të funksionimit në këtë objekt. Sigurisht gjithçka ka ndryshuar, ka ndryshuar në kuptimin e rritjes së numrit të pacientëve, gjegjësisht frekuenca e numri, si dhe shërbimeve, gjithsesi është ngritur. Një shembull të thjesht po e marr derisa para daljes në objektin e ri ne i kishim 100 të hospitalizuar, në ditën e sotme brenda një viti i kemi pas 357 hospitalizime. Është trefishi i punës të cilën e kemi bërë në objektin ku kemi qenë“, thekson Krasniqi.

Klinika e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit ofron më shumë hapësirë për trajtim më të dinjitetshëm, thotë ushtruesja e detyrës e drejtorit të kësaj klinike, Valbona Krasniqi.

Krasniqi: Ky ambient ka dhënë komoditet për pacientët por edhe për stafin mjekësor

“Krahasuar me ku jemi, është e pakrahasueshme, kanë qenë kushtet e vështira qoftë për nga infrastruktura, qoftë për nga pajisjet apo aparaturat të cilat i kemi shfrytëzuar brenda atij objekti. Normalisht kur nuk ke hapësirë nuk ke mundësi tu ofrosh shërbime as pacientëve….Infrastruktura është e mjaftueshme, është e përshtatshme qoftë për kryerjen e punëve por edhe për ambientimin e stafit i cili është pjesë e klinikës…Çdo ambient i ri jep komoditet qoftë për ata që punojnë aty, ose për ata që e marrin shërbimin e personelit që ofron atë shërbim. Edhe pacientët kanë kushte shumë më të mira sesa në vendin ku kemi qenë më përpara”, thotë ajo.

Krahas shërbimit ambulantiv dhe hospitalor me zhvendosjen në objektin e ri, Klinika e Mjekësisë Fizikale ka rritur gamën e shërbimeve.

Matja e dendësisë kockore është një shërbim i cili ofrohet tri herë në javë për pacientët nga e gjithë Kosova.

Krasniqi: Me ardhjen në objektin e ri e kemi nisur edhe shërbimin për matjen e dendësisë kockore

“Në klinikën tonë ka filluar edhe shërbimi i osteodezitometrisë që nënkupton matjen e dendësisë kockore dhe shërbimi ofrohet tri herë në javë si metodë diagnostike për osteoporozën. Normalisht e kemi edhe elektroneuro miografisë gjithashtu është kabinet që funksionon për pacientë, jo vetëm pacientë të jashtëm, por edhe për pacientë të klinikave të tjera të cilët kanë nevojë për një shërbim të tillë…Po presim shpejtë të fillojmë me kabinetin e vlerësimeve funksionale dhe posturografisë, një shërbim shumë i mirë, shërbim i rëndësishëm për pacientët në klinikë“, shprehet ajo.

Krahas këtyre shërbimeve, Klinika e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit ofron edhe shërbime konsultative për të gjitha shërbimet tjera në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërsa, janë realizuar 9 mijë vizita ambulantore e mbi 4 mijë e 800 terapi fizikale ambulantore.

Shërbimi i Mjekësisë Fizikale në Kosovë ka filluar të ofrohet nga vitet e 70’ta. Derisa si klinikë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është hapur në vitin 2007.

Ndërkaq, nga viti 2022 shërbimi fizikal dhe rehabilitues është zhvendosur në objektin e ri.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pistorius: Veprimet e Rusisë në Baltik si në Luftën e Ftohtë

Story i radhës

Sara provokon Drilonin

Të fundit nga

Видеолотарија Касинос Австрија спонзор на кошаркарски клуб Струмица

Видеолотарија Касинос Австрија со нова спортска поддршка, како дел од нашата визија за модерна и општествено одговорна компанија. Со задоволство споделуваме дека сме спонзор на кошаркарскиот клуб Струмица. Видеолотарија Касинос Австрија во
ShkoLartë