Tre persona mbetën të vrarë dhe disa të tjerë mbetën të plagosur nga të shtënat në një shkollë private në Medison, të shtetit Wisconsin. Ngjarja u regjistrua para se nxënësit të marrin pushimet me rastin e festave të fundvitit. Policia tha se nxënësi që hapi zjarr ishte në mesin e të vdekurve. Të shtënat ndodhën në shkollën e krishterë “Abundant Life” në kryeqytet, njoftoi policia.
Emrat dhe mosha e viktimave nuk u bënë me dije, por shefi i policisë së Madisonit, Shon Barnes tha se mes të vrarëve ishte një “person i mitur”.
Zoti Barnes tha se oficerët e policisë që shkuan në vendngjarje nuk qëlluan me armë. Autori ka të ngjarë të jetë vetëvrarë, shtoi ai.
Autoritetet thanë se nuk dihen ende shkaqet që mund të kenë çuar autorin në kryerjen e aktit, por njoftuan se po bëhen hetime të hollësishme.
Shefi i policisë Shon Barnes theksoi se nuk do të jepej informacion mbi autorin, përfshirë emrin dhe gjininë.
Sipas tij, të vrarë mbetën një mësues dhe një nxënës. 6 nxënës të tjerë, sipas autoriteteve po marrin trajtim spitalor, dy prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.
Shtëpia e Bardhë tha përmes një deklarate se Presidenti Joe Biden është informuar për të shtënat dhe zyrtarët ishin në kontakt me autoritetet lokale për të ofruar mbështetje.
“Po lutemi për fëmijët, mësuesit dhe të gjithë komunitetin e shkollës ‘Abundant Life’, ndërsa presim më shumë informacion dhe u jemi mirënjohës ekipeve të emergjencave që reaguan me shpejtësi“, tha në një deklaratë guvernatori i shtetit Wisconsin, Tony Evers.
Shkolla e krishterë “Bundant Life Life” ka rreth 390 nxënës, duke filluar që nga niveli parashkollor dhe deri në vitet e shkollës së mesme, sipas faqes së saj të internetit./VOA
Burimi: botasot.info