Kalidou Koulibaly është duke i kaluar ditët e fundit si lojtar i Napolit.
Futbollisti afrikan do të largohet gjithsesi nga klubi italian për ta vazhduar me gjasë karrierën në një klub tjetër.
Gazetari sportiv italian, Gianluca DiMarzio raporton se tri klube të njohura evropiane ia kanë vënë syrin partnerit të Amir Rrahmanit në zemër të mbrojtjes.
Juventusi po mundohet ta mbajë në Serie A 31 vjeçarin, të cilin e sheh si zëvendësues ideal të Matthijs de Ligt, i cili po flitet se do të largohet nga Torino.
E ndërkohë, futbollistin luftarak e do edhe Barcelona, e cila nuk llogarit shumë në liderin e deridjeshëm të mbrojtjes, Gerard Pique.
Kurse, klubi i tretë që e kërkon përfaqësuesin senegalez është Chelsea.
“Blues” duan ta zëvendësojnë të larguarin Antonio Rudiger pikërisht me Koulibalyn, i cili viteve të fundit ka qenë njëri prej mbrojtësve më stabilë në Itali.
Mbetet të shihet se në cilin prej këtyre klubeve do të transferohet Koulibaly, por shumëçka varet nga oferta që do ta bëjnë klubet e interesuara për të.
Kohë më parë, Koulibalyn e donin edhe Paris Saint-Germaini dhe Manchester City.