Kriza politike në Peru ka shkaktuar që 5.000 turistë të mbeten të bllokuar që nga e mërkura në Cusco, rajon ku gjendet kalaja e Inkave Machu Picchu, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Jemi të shqetësuar sepse ka turistë – fëmijë dhe të moshuar – që po ecin nga Machu Picchu. Ecja nuk është dy orë, është tetë deri në dhjetë orë”, tha për median lokale kryetari i bashkisë së Machu Picchu-s, Darwin Baca.
Baca kërkoi mbështetje humanitare nga qeveria me helikopterë për të mobilizuar turistët.
Aeroporti i tretë më i madh i vendit, Cusco International, është mbyllur që nga e hëna kur protestuesit u përpoqën të sulmonin terminalin. Trenat u ndaluan të martën drejt dhe nga Machu Picchu, ndërsa rajoni po përjeton mungesë ushqimi.
Kriza nisi që nga arrestimi i ish-presidentit majtist Pedro Castillo, duke shkaktuar një valë protestash të dhunshme që kanë lënë të vdekur 18 persona, sipas ministres së Shëndetësisë Rosa Gutierrez.
Rrugët dhe linjat hekurudhore janë bllokuar me gurë, trungje dhe goma të djegura dhe aeroportet janë mbyllur, duke penguar turistët të largohen nga vendi.
Castillo u rrëzua dhe u arrestua javën e kaluar, pasi u përpoq të shpërndante Kongresin dhe të sundonte me dekret për të shmangur një proces fajësim-shkarkimi (impiçment) me akuza për korrupsion.
Ai fillimisht u ndalua për shtatë ditë, por do të kalojë 18 muaj në paraburgim me urdhër të gjyqtarit.
Protestuesit kërkojnë lirimin e Castillo-s, dorëheqjen e presidentes së re Dina Boluarte dhe zgjedhje të reja.
Megjithëse Boluarte paraqiti një projektligj për mbajtjen e zgjedhjeve në prillin e ardhshëm në vend të prillit 2026, Kongresi e hodhi poshtë projektligjin të premten.
Miratimi i zgjedhjeve të parakohshme dështoi me 49 vota pro, 87 kundër dhe 25 abstenime.
Boularte shpalli gjendje të jashtëzakonshme mbarëkombëtare për 30 ditë.