300 mijë euro u ndanë për 13 kompani nga sektori ushqimor, i agrokulturës dhe turizmit për transformim digjital nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik në partneritet me programin për rritjen e punësimeve në treg të Agjencisë zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe INNOFEIT-DIH. Drejtori i Fondit, Festim Halili thotë se me këto lloj bashkëfinancimesh kompanitë vendore mallrat e tyre kanë mundësi më të madhe t’i eksportojnë edhe jashtë vendit.
“Kemi dizajnuar një thirrje publike e cila ngërthen në vete sektorët e turizmit, agrokulturës dhe teknologjisë ushqimore, të cilët ne i kemi konsideruar si sektorë prioritarë në këtë thirrje me qëllim të digjitalizimit të proceseve të tyre dhe shërbime më të mira për klientët, qytetarët dhe për rritje të konkurrencës dhe efikasitetit të kompanive të vendit tonë”- deklaroi Festim Halili, drejtor i FIZHT.
Zgjedhja e 13 kompanive nga 42 që kishin aplikuar për këtë grant nuk ishte detyrë e lehtë thotë Tanja Georgievska nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, megjithatë thekson se zgjedhja ishte transparente dhe e drejtë.
“Periudhën e kaluar nga fillimi i vitit 2023 deri tani kishim punë të vështirë në zgjedhjen e 13 më të suksesshme nga 42 aplikime. Nuk ishte e lehtë sepse kishte ide të mira dhe të cilat me të vërtetë janë të nevojshme për sektorët e agrokulturës dhe turizmit por mendoj se në raport jo vetëm me paanshmërinë gjeografike , por edhe në raport me ndarjen në mes sektorëve kemi baraspeshë.”- deklaroi Tanja Georgievska- Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Halili theksoi se ata si Fond po investojnë edhe në sektorë të tjerë ndërsa numri i projekteve të bashkëfinancuara ka arritur në mbi 1000.
Përndryshe, Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik po pret të akreditohet në Fondin e Gjelbër Klimatik të KB-së.
Burimi: TV21