Transfertat në SEPA, data më e afërt për bankat shqiptare është 5 tetori 2025

December 20, 2024
min lexim

Data më e afërt për nisjen e veprimeve në sistemin SEPA nga bankat dhe institucionet e pagesave në Shqipëri është 5 tetori 2025.

Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave që u zhvillua këtë muaj në Bankën e Shqipërisë u prezantuan edhe hapat dhe afatet e pritshme që do t’u duhen institucioneve shqiptare të pagesave për t’u anëtarësuar dhe për të nisur operacionet në SEPA.

Sipas shpjegimeve të ekspertëve, ofruesit e shërbimeve të pagesave nga Shqipëria mund të anëtarësohen në SEPA duke filluar muaji prill 2025. Megjithatë, ekziston një periudhë e ndërmjetme mes anëtarësimit dhe gatishmërisë së plotë operacionale ose mundësisë për të kryer transferta nëpërmjet sistemeve të SEPA.

Si rregull, aplikantët e skemës mund të dërgojnë aplikimet e tyre dhe të përfshihen në Regjistrin e Pjesëmarrësve të Skemës deri në 6 muaj përpara datës së parashikuar të gatishmërisë operacionale.

Megjithatë, data e saktë e gatishmërisë operacionale do të duhet të përcaktohet nga çdo ofrues i shërbimit të pagesave, së bashku me mekanizmin e zgjedhur të klerimit dhe shlyerjes së pagesave.

Kriteret e pranimit në SEPA janë specifike për secilën skemë, por në thelb të gjitha kërkojnë minimalisht përmbushjen e disa kritereve minimale, si të pasurit e një licence për ofrimin e shërbimeve të pagesave nga autoriteti rregullator i vendit përkatës, aftësia dhe kapacitetet për të përballuar kërkesat e lidhura me luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kriteret e lidhura me administrimin e rrezikut dhe kërkesat për kapitalizimin, aftësinë paguese dhe likuiditetin.

Skemat e pagesave të SEPA janë ajo e transfertave të kreditit (SCT), e transfertave të kreditit në çast (SCT instant) dhe ajo e Debimit Direkt (SDD). Dy skemat e para mundësojnë kryerjen e transfertave mes llogarive të klientëve në institucionet anëtare të pagesave. Ndryshimi mes tyre është se në skemën e transfertave të kreditit transfertat ekzekutohen brenda një dite pune, ndërsa në skemën e transfertave të kreditit të çastit ato kryhen brenda pak sekondash.

Skema e debimit direkt u mundëson bizneseve mbledhjen direkte të detyrimeve utilitare apo pagesave periodike automatikisht nga llogaria e klientit, me miratimin e tij.

Shqipëria u pranua zyrtarisht në Zonën e Vetme Europiane të pagesave SEPA në 21 nëntor 2024, duke u bërë, së bashku me Malin e Zi, dy vendet e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor që aderojnë zyrtarisht në skemë.

Sipas analizave të kryera nga Banka Botërore, aktualisht një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA sot kushton gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda zonës SEPA. Transferta kërkon disa ditë pune, ndërsa me anëtarësimin në SEPA pritet që paratë të transferohen në llogarinë e përfituesit maksimalisht brenda një dite pune.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në vitin e parë të pjesëmarrjes në SEPA, ekonomia shqiptare pritet të kursejë rreth 20 milionë euro. Nga pikëpamja e stabilitetit financiar, pjesëmarrja në SEPA ofron një mënyrë për të adoptuar sisteme më moderne, më të sigurta dhe më eficiente të pagesave elektronike.

Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte. Ulja e kostove të transfertave në euro pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave.

Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, Bashkimin Europian, pritet mundësojë zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare.

/Monitor

Burimi: pcworld.al

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Raportet Kurti-Rama, ja si i komenton Mazllum Baraliu

Story i radhës

MPB: Deri më 31 dhjetor të ndërrohen targat e automjeteve ose të vendosen ngjitëset NMK

Të fundit nga

ShkoLartë