Ministria e Drejtësisë pranon kërkesën e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri për t’u transferuar nga burgu i Fierit në burgun e Lushnjes.
“Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili vuan dënimin me burg prej 3 vitesh e 4 muajsh, është duke u transferuar nga IEVP e Fierit në IEVP e Lushnjës. Transferimi kryhet pas kërkesës së familjarëve të tij.” thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.
Reagimi I Ministrisë së Drejtësisë, vjen pas lajmit të publikuar në Top Channel. Burimet thanë për gazetaren Anila Hoxha se ish ministri Tahiri kishte kërkuar transferimin në burgun e Kosovës në Lushnjë, për t’u afruar me familjen.
Njëherazi një burim i tha Top Channel se në burgun ku u dërgua menjëherë pasi Gjykata e Posaçme e shpalli fajtor nga shkurti i këtij viti, ish ministri ka kundërshtuar rregulloren e burgut të Fierit , sipas së cilës të burgosurit nuk duhet të furnizohen me ujë nga familjarët. Me shumë mundësi ish zyrtari i dënuar me 3 vjet e katër muaj burg nga Gjykata e Apelit të Posaçëm mund t’u ketë kërkuar zyrtarëve të këtij institucioni lejimin e ujit, por diçka e tillë nuk është pranuar thanë burimet jo zyrtare.
Nga ana tjetër pritet që Saimir Tahiri pas kësaj lëvizjeje dhe kërkesës tjetër që kishte dorëzuar në Gjykatën e Lartë për pezullim dënimi pasi i rrezikohet jeta në burg, të kërkojë shërbimin e provës për dënimin që i ka mbetur.