Të paktën 92 emigrantë të cilët ishin braktisur në brigjet e lumit Evros , janë shpëtuar nga policia kufitare greke në bashkëpunim me Frontex.
Autoritetet greke akuzojnë Turqinë për trajtim ‘çnjerëzor’ të emigrantëve, duke bërë me dije se i kanë gjetur ato totalisht të zhveshur dhe të braktisur.
Emigrantët, siç u kanë thënë vetë oficerëve të policisë greke, janë transportuar në Evros me tre automjete të autoriteteve turke, ndërsa më pas kanë hipur në varka plastike për të kaluar në anën greke.
“Më datë 14.10.2022 në mëngjes, në rrethin Feron të Aleksandropolisit, punonjësit e policisë së Departamentit të Rojës Kufitare Feron, gjetën nëntëdhjetë e dy (92) emigrantë të paligjshëm pa rroba dhe disa prej tyre me lëndime fizike. Nga hetimi i policisë greke dhe zyrtarëve të Frontex, u konstatua se ata janë lënë në territorin grek, me gomone plastike nga Turqia në Greqi, përmes lumit Evros. Të gjitha nevojat për veshje-ushqim dhe ndihmën e parë të personave të mësipërm janë mbuluar menjëherë nga autoritetet greke”, thuhet në njoftimin e ministrisë greke.
Në foto shihen emigrantë të zhveshur të cilët u shpëtuan nga oficerët e policisë së Departamentit të Rojës Kufitare të Feronit, në bashkëpunim me Frontex.
Burimi: GAZETA.MK