Shpëtim Duro ka kujtuar se rrugëtimi i tij në pankinë është ndeshur edhe me trajnerin e Kroacisë, Zlatko Daliç. Ai ka kujtuar një episod shumë interesant për trajnerin e Kroacisë.
“Ka qenë në janar 2009, kemi pasur derbi Partizani-Dinamo, të cilën e drejtonte ai dhe kemi fituar ne 1-0.
Direkt presidenti Sulaj e shkarkoi pas ndeshjes Daliç. Ka qenë edhe diçka e bukur se duke dalë jashtë stadiumit, po ikja në këmbë dhe pashë SHkëlqim Muçën që po kalonte me biçikletë. E përshëndeta dhe ika, të nesërmen shoh në media që u emërua trajner te Dinamo.
U shkarkua Daliç dhe pastaj pati karrierë në Arabi, por serbët dhe kroatët kanë menaxherë të jashtëzakonshëm në këto vende. U kthye provizorisht për dy ndeshje te Kroacia se kishin probleme me menaxhimin, fitoi dhe qëndroi, është ku është.
Ka merita të padiskutueshme, kjo është historia e trajnerëve. Ka edhe fatin në mes, ajo është një ndeshje. Ndoshta atëherë kam qenë shumë më i avantazhuar se Daliç, por sot unë jam të Rrogozhina e Daliç te Kroacia. Kështu është futbolli, historia e trajnerëve.
Edhe këtu ka shumë trajnerë të mirë, por ne kemi nënvlerësim fshataresk me njëri-tjetrin, ka shumë trajnerë të mirë. Por jemi të këqij me njëri-tjetrin, jemi xhelozë, nuk ka besim te trajnerët shqiptarë. Nuk është si para 30 vitesh që kemi ndjenjë inferioriteti në çdo aspekt. Por tani shumë shqiptarë janë shumë më të avantazhuar, por ne gjithmonë me njëri-tjetrin kështu jemi”, tha Duro.