Trajneri i Marokut, Ualid Regragui, pranoi në konferencën për shtyp se Maroku nuk ka asnjë plan special për të ndalur Kilië Mbapenë në gjysmëfinalen e sotme.
Ai tha se nuk do të ndjekë shembullin e Garet Sauthgejtit me Anglinë, ndërsa e kontrolloi shumë mirë kërcënimin kryesor të kampionëve të botës me Kajl Uokerin.
“Ne nuk do të bëjmë asnjë plan anti-Mbape sepse fatkeqësisht nuk është vetëm ai kur dimë edhe nivelin e Grizmanit mes linjave. Por Hakimi është një kampion i madh dhe nuk jam i shqetësuar”.
Regragui do t’u besojë njohurive të mbrojtësit të tij të djathtë, i cili është shok skuadre me Mbapenë te PSG në stadiumin “Al Bayt”: “Ata janë të dy kampionë që nuk do të bëjnë dhurata. Ashraf është shumë i motivuar për të mundur shokun e tij”.
Kanë eliminuar Spanjën dhe pastaj Portugalinë dhe janë skuadra e parë afrikane që arrin në katërshen më të mirë të botës, por trajneri i Marokut këmbëngul se misioni i tyre nuk ka përfunduar këtu: “Sa më larg shkon, aq më të vështira bëhen ndeshjet. Ne luajmë kundër kampionëve të botës, lojtarë të klasit botëror dhe një trajneri shumë të mirë, ndoshta më i miri në botë. Por ne do të tregojmë dëshirë të madhe dhe provojmë t’i zhgënjejmë. Përse të mos arrijmë në finalen e Kupës së Botës? Kemi ardhur në këtë turne për të ndryshuar mendësinë për skuadrat e kontinentit tonë.
Nëse ata thonë se gjysmëfinalet janë mjaftueshëm, unë nuk jam dakord. Nuk jemi të kënaqur me to, duam të shkojmë më larg. Është një ndeshje me eliminim direkt dhe nëse ke dëshirën, përkushtimin dhe mbështetjen e tifozëve ti mund të fitosh. Ju mund të mendoni se kjo është çmenduri, por pak çmenduri është pozitive”.
Qendërmbrojtësi i Uest Hemit, Najef Aguerd dhe ish-mbrojtësi i Uolvesit, Romain Sais, janë në dyshim, por Regragui tha: “Siç të gjithë e dinë ne kemi disa lojtarë të dëmtuar, por kemi edhe një staf mjekësor të shkëlqyer që po punon shumë fort dhe po na jep lajme të mira çdo ditë. Askush s’është jashtë, por as në dispozicion gjithashtu. Do të rreshtojmë skuadrën më të mirë të mundshme”.