Maroku është në kërkim të mrekullisë së radhës në Botërorin e Katarit teksa kombëtarja afrikane përballet në gjysmëfinale me pretendentët e Francës. Megjithatë, trajneri i marokenëve, Walid Regragui në konferencën për shtyp para sfidës la të kuptohet qartë se nuk i druhet sfidës me “Gjelat”, madje theksoi se në fushën e lojës përveç kualitetit të rëndësishme janë mendja dhe zemra teksa shtoi se skuadra e tij është e uritur dhe pak e “çmendur”.
“Është e vërtetë se kemi dëmtime, por në këtë fazë të kompeticionit nuk ka asnjë lojtar titullar dhe asnjë rezervë. Në fushë do të zbresë skuadra më e mirë dhe çelësi është të kemi mentalitetin e duhur, mendja dhe zemra janë shumë më të rëndësishme se pjesa tjetër. Në stadium pritet të jenë rreth 20.000 marokenë, ndaj për ne do të jetë si të luajmë në shtëpi. Kjo është shumë e rëndësishme.
Dua ta ndryshoj mentalitetin e atyre që thonë se ne tashmë e kemi arritur suksesin tonë, skuadra mund të arrijë edhe më tepër. Shpresoj që kundërshtari të mos na respektojë sepse nëse e bën, atëherë do të luajë në maksimum dhe për ne do të jetë e vështirë. Nga skuadrat gjysmëfinaliste, ne kemi pasur rrugëtimin më të vështirë. Duam të shkojmë në gjysmëfinale dhe të fitojmë Kupën e Botës, këto nuk janë fjalë boshe sepse ndoshta një mundësi e tillë nuk do të na jepet sërish.
Jemi të uritur sepse bëhet fjalë për gjysmëfinalet e Botërorit, skuadra më e mirë, Brazili, tashmë është jashtë dhe ne jemi ambiciozë. Duam të vendosim Afrikën në majën e Botës, kemi besim dhe ndoshta jemi paksa të çmendur. Nuk jemi të lodhur, nuk mund të jemi të lodhur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Dueli Hakimi-Mbappe? Nëse është dikush që e njeh mirë Hakimin, ai është Mbappe. Ai stërvitet çdo ditë me të dhe për fatin tonë të keq, Franca nuk ka vetëm Mbappe. Kur sheh kualitetin e Griezmann apo Dembele kupton çfarë ekipi është Franca. Por, nuk do të ketë asnjë mbulim special për Mbappe. Do të jetë një duel i bukur Hakimi-Mbappe dhe nuk do t’i bëjnë surpriza njëri-tjetrit. Hakimi do të jetë super i motivuar për ta mundur shokun e skuadrës te PSG”, u shpreh Regragui.