Basketbollisti i, Pronto Cable Prizrenit, Urim Zenelaj do të jetë jashtë fushave të lojës për disa muaj pasi ai ka shfaqur probleme me frymëmarrje në disa prej ndeshjeve të fundit dhe tashmë me rekomandimin e kardiologut, ai do të ndërpres aktivitetin sportiv.
Trajneri i KB Prizrenit, Arbnor Rifati, ka thënë për KosovaPress se gjatë javës pritet të bëhen ekzaminimet më të thella për të kuptuar më mirë gjendjen shëndetësore të basketbollistit.
Rifati: Zenelaj ka probleme me frymëmarrje
“Urimi ka pasur shqetësime në disa ndeshjet e fundit me frymëmarrje dhe kishte ankesa kështu që sigurisht ne morëm hapat bashkë me atë një iniciativë për një kontroll të thellë dhe gjatë vizitës së tij të cilën e ka pasur ditën e premte, me udhëzim të një kardiologu të njohur i është rekomanduar ndalesa e të gjitha aktiviteteve sportive për disa shkaqe kardiologjike dhe sigurisht që gjatë javës, nga nesër do të fillojnë edhe ekzaminimet më të thella.”, tregoi fillimisht Rifati.
Ai ka shtuar se Zenelaj për momentin është në gjendje stabile shëndetësore dhe se shpreson që nga analizat që do të bëhen, të mos dal diçka serioze.
Rifati: Për disa muaj ai pritet të jetë jashtë fushës
“Një gjë që e dimë deri më tani është që ai për një periudhë disa mujore do të jetë jashtë fushës…Për momentin gjendjen shëndetësore e ka të mirë, një fakt që na gëzon, nuk ka ndonjë ankesë. Brenda javës duket se do të bëhet një kornografi që do të shikohet çdo detaj i mundshëm që mund ta ketë Urimi, kështu që ne lutemi dhe shpresojmë që mos të dal ajo më e keqja dhe që në periudhën sa më të shpejtë të rikthehet aty ku e ka vendin”, theksoi Rifati.
Në aspektin sportiv, Rifati thotë se mungesa e Zenelajt do të jetë hendikep i madh per KB Prizrenin.
Rifati: Mungesa e tij hendikep i madh klubin tonë
“Dëmi është normal shumë i madh. Në të premten kur morëm këtë lajmë, normalisht brenga e parë ishte ana shëndetësore që është prioritet para çdo aktiviteti sportiv, mirëpo në anën tjetër edhe për skuadrën tonë është një hendikep i madh pasi që tani shtatë vite që jemi pjesë e Superligës, skuadra e Prizreni çdo herë e ka ndërtuar ekipin duke u bazuar në skeletin dhe bazamentin që e kishte Urimi si lojtarë vendor dhe këtë e kemi bërë edhe këtë vit”, deklaroi në fund Rifati.
Zenelaj është njëri ndër basketbollistët më të mirë në Kosovës. Ai ka luajtur për klubet më të mëdha kosovare, duke përfshirë, Bahskimin, Sigal Prishtinën, ndërsa ka luajtur edhe për Kombëtaren e Kosovës në basketboll.
Burimi: botasot.info