Bajerni i ka bërë një nisje mjaft të mirë fazës në grupe në Ligën e Kampioneve.
Ndonëse në një transfertë aspak të lehtë, si ajo në Milano, kampionët e Gjermanisë kanë fituar pa shumë probleme kundër Interit, duke e dominuar takimin nga fillimi në fund.
Bavarezët i kanë dhënë një leksion skuadrës së Inzagit, duke lënë të kënaqur edhe trajnerin e tyre Julian Nagelsman.
Bavarezët u janë përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme kritikave të para në Gjermani pas dy barazimeve radhazi në Bundesligë përballë Gladbahut dhe Union Berlinit.
“Nëse do ta marrim ndeshjen në tërësinë e saj, duhet të jemi të kënaqur sepse kemi kontrolluar gjithçka.
Duke parë zhvillimin e takimit, unë mendoj se në pjesën e dytë duhet ta kishim goditur më herët kundërshtarin, duhet ta kishim mbyllur më shpejt takimin. Por pavarësisht kësaj unë mendoj se kemi fituar me meritë”, ka thënë Nagelsman.