9
Shkup, 21 mars – Tragjedia që ndodhi në Koaçan ku humbën jetën 59 të rinj nxiti reagim të menjëhershëm të institucioneve përgjegjëse me çka kemi numër të madh të personave fizik e juridik që janë arrestuar dhe burgosur. Por, kjo fatkeqësi ndikoi që edhe qytetarët të zgjohen e të krëkojnë drejtësi e zbardhje edhe për rastet tjera tragjike. Iniciativa të shumta për protesta për të ngritur zërin për drejtësi dhe përgjegjësi, shkruan Zhurnal.
Do të ketë drejtësi për rastet Koçani, spitalin modular në Tetovë, Llaskarcën –
Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, është zotuar në emër të Qeverisë se shteti nuk do të qëndrojë më duarkryq dhe se drejtësi do të ketë si për rastin e Koçanit, ashtu edhe për tragjeditë tjera si “Besa-transi”, Spitali modular në Tetovë e “Llaskarca”
“Koçani, ‘Besa trans’, Spitali modular në Tetovë, Llaskarca – shumë tragjedi të rënda me shumë viktima për një vend të vogël si Maqedonia e veriut! Shumë dhimbje e familje të mbështjella në zi e vajtim, e shumë pak drejtësi për viktimat! Teksa lutemi për të mbijetuarit dhe përgatitemi për t’ua dhënë lamtumirën atyre që u shuan tragjikisht më 16 mars, si Qeveri zotohemi se leksioni i hidhur i Koçanit është mësuar, se mesazhi është pranuar: shteti nuk do të qëndrojë më duarkryq dhe nuk do të lejojë që drejtësia të humbet e të devalvohet nëpër hilet institucionale të ndërtuara për të mbrojtur të paprekshmit!”, ka shkruar zëvëndëskryeministri Izet Mexhiti.
Ai tutje ka shtuar se shteti do të veprojë, dhe se përgjegjësi e drejtësi do të ketë për gjitha rastet tjera ngjashëm sikur për tragjedinë e Koçanit.
“Koçani është ndërgjegja jonë që thërret për veprim. Koçani është dhimbja jonë që kërkon reagim. Koçani është katarsisi i sistemit të qelbur e korrupsionit endemik që ka lëshuar rrënjët thellë nëpër institucione dhe po rrënon jetët e njerëzve. Por shteti do të veprojë! Përgjegjësi do të ketë! Drejtësi do të ketë: për Koçanin, për ‘Besa transin’, për Spitalin e Tetovës, për Llaskarcën, për të gjitha tragjeditë të cilat kanë për shkak korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë, dhe për pasojë kanë jetët e njerëzve!”, ka përfunduar Mexhiti.
Iniciativa qytetare ZERO –
Pas tragjedisë në Koçan dhe protestave masive studentore është aktivizuar në rrjetet sociale edhe një platformë e emërtuar si “Iniciativa Zero”. Pse ZERO?
ZERO, sepse sistemi ka dështuar dhe ka nevojë për një RESET të plotë.
ZERO harresë – tragjeditë nuk do të harrohen.
ZERO tolerancë ndaj korrupsionit – llogaridhënia është e panegociueshme.
ZERO heshtje – drejtësia kërkon zë dhe veprim.
ZERO frikë – askush nuk është mbi ligjin.
“Derisa objektet në RMV digjen shpejt e lehtë, ne i dhurojmë Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Tetovë aparat për mbrojtje kundër zjarrit – si simbol i nevojës urgjente për drejtësi! 59 të rinj u vranë në Koçan!; 14 pacientë u dogjën të gjallë në Spitalin Modular në Tetovë?; 45 persona u vranë në aksidentin e Besa Trans!; 16 të tjerë në aksidentin e Durmo Turs dhe #ZERO përgjegjësi! Të hënën, ora 12:30 në Sheshin Iliria në Tetovë – protestojmë për drejtësi! Sepse ajo nuk mund të mbetet në hije. ZERO heshtje! ZERO frikë! ZERO tolerancë ndaj korrupsionit që vret! “, kanë shkruar nga iniciativa qytetare ZERO, prijës i së cilës deri në këto momente shihet të jetë Blendi Hodai, kryetari Forumit për Ndryshime në Arsim.
Rihapet plaga kumanovare! Kërkohet drejtësi edhe për Almirin e vogël që u shtyp me makinë –
Familjari i Almir Aliut, katër vjecarit i cili humbi jetën si pasojë e goditjes me veturë nga Boban Iliq ka reaguar pas ngjarjeve tragjike që kanë tronditur vendin, duke shprehur shpresën se politikanët në pushtet do të kujtohen për rastin e nipit të tij. Ai ka theksuar padrejtësinë dhe krimin që ndodhi, duke akuzuar sistemin që lejoj një huligan të shtypë Almirin dhe të shpëtojë falë sistemit të korruptuar të drejtësisë.
“Ndoshta dikush nga politikanët që janë në pushtet do të kujtohen për rastin e Almirit. Në këtë periudhë kur ndodhën ngjarje tragjike si ajo në Koçan dhe rasti i vdekjes së Vedatit në spitalin e Kumanovës jam optimist se dikush nga politikan aktualisht në pushtet do të kujtohet për rastin e Almirit i cili u shtyp qëllimisht nga një huligan e po i njejti fal sistemit të shumë përmendur këto ditë në kolluaret politike e nëpër media, u dënua ashtu siç e dinë opinioni i gjerë e poashtu u dënua edhe prindi i tij sepse Bobani i kishte shtyp djalin me makinë qëllimisht. Kjo jo që nuk është drejtësi por është krim e përtej krimit. Turp”, ka shkruar familjari i Almir Aliut.
Kujtojmë që, siguria është njëri nga kushtet themelore që duhet plotësuar për të garantuar një mirëqenie të mirë sociale. E për këtë pjesë ekzistojnë edhe organet e sigurisë që me kompetencat e tyre duhet ta garantojnë një gjë të tillë. Por, në Maqedoninë e Veriut ngjanë sikurse këto organe janë në gjumë e pasive në funksionim. Pasi ndodhin raste të shumta por përfundojnë pa zbardhje dhe pa asnjë epilog dhe kjo krijon ndjenjën e pasigurisë dhe frikës te qytetarët. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk