Familjarët e personave të cilët humbën jetën në tragjedinë në Bullgari, po kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë për rastin tragjik.
“Për këtë qëllim kërkuam që në Kuvend Komisioni anketues të mbajë mbledhje për të drejtat dhe liritë e njeriut. Por, sot morëm përgjigjen se këtë mbledhje edhe pse Kryetari i Komisionit, Halil Snopçe, e kishte thirrur, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e ka anuluar. Ju kujtojmë se deputetët janë të dërguarit tanë në Kuvend dhe ata duhet të jenë zëri ynë dhe mbrojtësit tanë. Ne kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë, ndërsa vendimet e këtilla i vlerësojmë si tentim për të fshehur të njëjtën. Sot zotëri Xhaferi na rëndoi edhe më shumë dhimbjen dhe e pyesim publikisht, përse i pengon e vërteta, kë dëshiron ta mbrojë ai dhe pse nuk lejon hetim parlamentar?”, ka deklaruar Muhedin Brava, familjarë i viktimave të tragjedisë në Bullgari.