Sandro Tonali i mjaftuan 6 minuta për të shënuar në debutimin e tij zyrtar me Newcastle. Skuadra e Eddie Howe e nisi sezonin e ri në Premier League me një fitore fantastike 5-1 përballë Aston Villas.
Sfidë që u zhbllokua nga ish-mesfushori i Milanit, për shërbimet e të cilit drejtuesit e klubit ishullor shpenzuan 80 mln euro.
23-vjeçari u shfaq i lumtur për debutimin me gol në “St. James Park”, teksa zbulon se ka marrë urime të shumta nga ish-shokët e tij te kuqezinjtë e Milanit.
“Ndeshja e parë e vërtetë, luanim në shtëpi, shënova dhe fituam.
Nuk ka më bukur. U argëtuam të gjithë. Na shkoi mbarë ndeshja, pikërisht ashtu siç e kishim përgatitur.
E kisha ëndërruar një debutim të tillë. Gjithsesi, ëndrrat janë të bukura, por realiteti është tjetër gjë. Jam shumë i lumtur”, theksoi Tonali pas ndeshjes.
Nuk mungon një koment për aventurën e re në ishull dhe për tifozët pasionantë të Newcastle. Të cilët nisën menjëherë të këndonin në kor emrin e tij.
“Jam në një realitet tjetër nga Milani, duhet të ndryshosh pak nga gjithçka, edhe nga vetja.
Nuk bën të njëjtat gjëra si më parë, nuk i gjen miqtë që kishe në shtëpi.
Janë dy jetë shumë të largëta, por profesionalizmi është gjithmonë në mes, nuk më mungon kurrë.
E ndjeva ngrohtësinë e fansave, ata nisën të brohorisnin për mua që në fillim.
Dhe duke folur me trajnerin pas ndeshjes, kuptova sa i lumtur ishte dhe sa shumë më do…
Milan? Flas shpesh me ish-shokët, jemi gjithmonë në kontakt. Ata janë miqtë e mi, më kanë shkruar shumë mesazhe duke më komplimentuar”, përfundoi “ylli” i ri i Newcastle.