Në emisionin “Kjo javë”, në News24 me gazetaren Nisida Tufa, po diskutohet në lidhje me situatën politike në vend.
I ftuar në studio, Tomorr Alizoti u shpreh se deri më tani shqiptarët nuk kanë protestuar, pasi nuk janë zemëruar apo rebeluar, teksa ka shtuar se problemi i zgjedhjeve në Shqipëri është bashkimi i mafies me shtetin.
Ndërsa në lidhje me Primaret u shpreh se është një koncept shumë i mirë pasi vetë gara midis kandidatëve shkakton ankth, por do duhet pak kohë që të funksionojë.
“Problemi i zgjedhjeve në Shqipëri është se është bashkuar mafia me shtetin.
Kemi bërë denoncime në polici për njerëz të botës së krimit dhe policia nuk vinte, vjen për të kapur hallexhinj.
Ramës i duhen këta njerëz për dhunë e para për intimidim.
Ai do marrë televizionet më të mëdha në vend e do ti përdorë deri më 15 maj për të krijuar një perceptim.
Protesta është zemërim, ndjesi. Duhet rebelim, nëse shëtit kryeministri me avionë, shqiptarët të rrinë në aeroport. Nëse shqiptarët mendojnë se njerëzit janë mirë protesta nuk ka se nuk i bën dot vetëm opozita, ndryshe të dalin në rrugë.
Në demokraci qeveritë ikin me zgjedhje por protesta, bënë Kinën të tërhiqej për Covidin.
Kur njerëzit dalin shumë dhe protestojnë do e marrin bereqetin e tyre”, tha Alizoti.
Zoti Alizoti foli edhe në lidhje me Primaret, dhe aktin e tërheqjes së kandidatit Ilir Alimehmeti, duke mundësuar kështu zyrtarizimin e kandidaturës për kryebashkiakun e Tiranës nga opozita, Belind Këlliçin.
“Primaret janë diçka shumë e mirë në koncept por mos prisni të jenë perfekte që në herën e parë. Primaret prodhojnë garë e vënë në akth edhe kandidatin, si herë e parë ka probleme.
Në politikë po nuk pati Primare e gara kthehet në parti burokratike.
Natyrisht që ka probleme, por në rastin e Tiranës, për herë të parë futën një njeri fisnik nga shoqëria civile në politikë. Të gjithë kanë hyrë nëpërmjet kryetarit të partisë, ashtu si edhe unë. E pash gjestin e zotit Alimehmeti si fisnikëri.
Akte të tilla e pasurojnë politikën shqiptare dhe kriza në PD është se nuk tërhiqet asnjëri. Ai i dha një leksion PD.
Do të doja të unifikoheshin përballë garës që vjen jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë. Demokratët duhet të kapërcejnë veten, Shqipëria është shumë më keq se në 2013.
Qeveria nuk prodhon politikë, ka një nivel artikulimi që ministrat kur lexojnë fjalimin lexojnë edhe emrin e tyre në fjalime. Është tmerr të dëgjosh fjalimet në Kuvendin shqiptar. Kaos i parregullt”, tha ai.