Tjetërsimi i tokave në bregdet, dy akuza për ish kryebashkiakun e Himarës Goro

September 22, 2024
min lexim

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi sot se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen ndaj ish kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro. Ndaj janë ngritur akuzat për “Shpërdorim detyre” në dy raste, dhe “Fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. Zoti Goro u arrestua në mars të këtij viti, nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuar ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme në bregdet, të cilat, pas disa transaksioneve, i kaluan sipërmarrësit Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme Olta Xhaçka, për të ndërtuar një kompleks turistik në bregdetin e Dhërmiut. Hetimi ndaj tij zbuloi dhe një apartament në Tiranë, të rregjistruar nën një emër tjetër, por që sipas Prokurorisë së Posaçme i përket zotit Goro “pronar faktik duke patur mbi të, të drejta dhe interesa pasurore”. Apartamenti është vënën nën sekuestro.

Për rastin e dy sipërfaqeve në bregdet, nën akuzë janë vënë dhe 4 persona të tjerë. Jerasimo Bashi, ish Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Bashkisë Himarë, akuzohet për “Shpërdorim detyre” në dy episode. Bilbil Aliaj, ish Drejtor i ZVRPP-së (Zyra vendore e rregjistrimit të pronave të patundshme), dega vendore Vlorë, dhe ish juristi i këtij institucioni, Vezir Gjikokaj, akuzohen për “Shpërdorim detyre”, Ndërsa Stavri Mëhilli, përfituesi i sipërfaqeve të tjetërsuara, akuzohet për “Falsifikim të vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’’.

Hetimi për rastin nisi nga një denoncim i ish kryetarit të zgjedhur të Himarës Fedi Beleri, në kohën që ndodhej në burg nën dyshimet për shitblerje votash. Zoti Beleri u dënua më dy vjet burg, me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit, ndërsa në fillim të këtij muaji ai u lirua me kusht, disa javë para përfundimit të dënimit. Ndërsa ishte ende në burgim ai fitoi në zgjedhjet e zhvilluara në Greqi, për vendet si anëtarë të parlamentit europian, ku mori pjesë si kandidat i partisë Demokracia e Re, të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Në denoncimin e tij, zoti Beleri, pretendonte një seri falsifikimesh mbi një sipërfaqe prej 5512 metrash katrorë, që nga fakti që nuk i përkiste familjes Mëhilli, te rregjistrimi i saj si truall, ndërkohë që ishte pjesë e fondit bujqësor. Prokuroria e Posaçme thotë se ish kryebashkiaku i Himarës, së bashku me ish drejtorin Bashi, kanë dërguar pranë ZVRPP-së Vlorë për qëllime regjistrimi të pasurisë, një shkresë me “përmbajtje të rreme” shoqëruar me “dokumentacion i cili qartazi përmbante të dhëna të rreme”.

Sipërfaqja e tokës e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, e cila rezulton të ketë qenë në pronësi të shtetit, është tjetërsuar në favor të Foto Mëhillit (trashëgimlënës), përmes formularëve dhe dokumetave të falsifikuar, të paraqitur nga Stavri Mëhilli (trashëgimtar). Sipas Prokurorisë “për ish zyrtarët e Bashkisë Himarë, ka qenë fare e lehtë të konfirmonin ose jo vërtetësinë e AMTP-së (Akt të marrjes së tokës në pronësi) dhe Formularit Nr. 6, të paraqitur nga Mëhilli”.

Pas rregjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, Mëhilli ia ka shitur sipërfaqen e tokës, shoqërisë së zotit Gaçi. Prokuroria shprehet se akti i shitjes është kryer ndërsa Mëhilli “ishte në dijeni të plotë të prejardhjes kriminale të saj. Transaksioni është realizuar kundrejt përfitimit financiar dhe transferimi i pasurisë është bërë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme”.

Mbi këtë sipërfaqe me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, është vendosur sekuestro preventive. Hetimi i këtij rasti çoi në zbulimin edhe të një tjetër episodi falsifikimi dokumentash, për një tjetër sipërfaqe toke, prej 5082 metrash katrorë, në kufi me sipërfaqen e parë, e që po ashtu u bë më pas pjesë e terrenit mbi të cilin bashkëshorti i zonjës Xhaçka do të ndërtonte hotelin. Sipas Prokurorisë, ish kryebashkiaku Goro në Bashkëpunim me ish drejtorin Bashi dhe dy ish zyrtarët e ZVRPP-së Vlorë “kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të pasurisë Nr. 36/341, krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Madje kësaj pasurie, të pandehurit i kanë dhënë një numër të ri (36/35) të pabazuar në asnjë të dhënë fakti dhe krejtësisht në kapërcim të kompetencave që u njeh ligji. Ky plan rilevimi i konfirmuar nga të bashkëpandehurit ka shërbyer për të gjithë procedurën e zhvillimit të pronës deri në lëshimin e Lejes së Ndërtimit në emër të shoqërisë “AG.TCC” sh.p.k.”. Edhe kjo sipërfaqe është vënë po ashtu nën sekuestro preventive.

Ndërtimi i kompleksit turistik nga zoti Gaçi, kishte qenë që më herët objekt debatesh politike në parlament. Bashkëshorti i ish ministres, kishte përfituar statusin e investitorit stretegjik. Ky fakt sipas opozitës, përbënte konflikt interesi e për këtë arsye kërkoi ndërprerjen e mandatit të deputetit, për zonjën Xhaçka. Shumica socialiste nuk e pranoi kërkesën. Opozita e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila e konsideroi të gabuar vendimin e parlamentit duke urdhëruar që rasti të paraqitej për shqyrtim pranë saj.

Rasti, çoi në një përplasje direkte mes parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Dy herë me radhë votat e shumicës socialiste, penguan që shqyrtimi i papajtueshmërisë ose jo të mandatit të zonjës Xhaçka të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese. Socialistët tanimë, i janë drejtuar Komisionit të Venecias, për t’i kërkuar një opinion mbi faktin nëse “mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar”. Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë reaguan pas votimit të fundit javën e shkuar duke shprehur shqetësim për “shpërfilljen e Gjykatës Kushtetuese” e duke e konsideruar vendimin e parlamentit “një hap jo në drejtimin e duhur”./VOA

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Malisheva për këndellje, Gjilani për vazhdimësi

Story i radhës

Mexhiti: Shumë deputetë të opozitës duan të jenë pjesë e qeverisë, kjo do të ndodhë

Të fundit nga

ShkoLartë