Tiranë, AKEP mbyll 155 faqe ruse në internet për dezinformim

min lexim

Tomi Frashëri, Kryetar i AKEP-it, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, deklaroi sot se institucioni që ai drejton ka mbyllur 155 faqe ruse në internet, që synonin dezinformimin, ndërsa 8 të tjera u përkisnin grupeve të hakerimit të të dhënave sikurse tha ai.

Zoti Frashëri bëri këto komente gjatë seancës dëgjimore para komisionit të posaçëm parlamentar kundër dezinformimit dhe formave të tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit, ku foli mes të tjerash mbi sulmet iraniane nga “Homeland Justice”, që synonin sipas tij, shkatërrimin e të dhënave dhe kolapsin e shërbimit të operatorit.

“Sulmet ndaj operatorëve janë të përditshme. Kur nisi lufta në Ukrainë, i mblodhëm operatorët dhe u thamë të skanojnë përditë gjendjen dhe kjo të bëhej kulturë”, tha zoti Frashëri.

Ai shtoi se kërkesa e parë për të bllokuar faqe ruse erdhi nga Komisioni Evropian më 3 mars të vitit 2022, ndërsa Shqipëria u godit nga hakerat iranianë në muajin korrik.

“Komisioni Europian kërkoi që 3 faqe interneti, si dhe llogari të tjera ruse, që mbanin qëndrim dhe publikonin të dhëna në favor të agresionit rus, të mbylleshin, sepse përmbanin dezinformim. Kërkesa të tjera kanë ardhur nga organet ligjzbatuese për grupin “Homeland Justice”. Kërkesa kanë ardhur kryesisht nga prokuroria në disa raste, Njësia C kibernetike e Policisë dhe i vetmi instrument për t’i ndaluar këto, është ligji”, tha zoti Frashëri.

Ai shtoi se AKEP-i bën kontrolle në mënyrë të përhershme mbi personat e autorizuar dhe se siguria në këtë fushë është maksimale, ndërsa detajoi se këto sulme kanë ndodhur gjatë festave dhe pushimeve, kur operatorët ulin vëmendjen ndaj sistemit, por kjo tani nuk ndodhë më, sepse tani janë caktuar ekipe profesionale gjatë festave dhe fundjavave në çdo stinë.

Siguria kibernetike është një detyrë me përparësi të lartë qysh pas krizës shëndetësore të pandemisë Covid 19. AKEP-i administron 5 infrastruktura kritike dhe qysh prej shkurtit të vitit 2022 kur nisi agresioni rus ndaj Ukrainës ka një vëmendje maksimale ndaj ndërhyrjeve të huaja të dëmshme në shërbimin elektronik të vendit.

Burimi: pcworld.al

Story i mëparshëm

Humbasin kampionët dhe Real Madrid

Story i radhës

Nikollovski për Korridorin 8: Ky projekt nuk do të bëhet, do të shohim nëse do të ketë ndonjë projekt të ri

Të fundit nga