Tirana mund Partizanin, Apolonia rikthehet te fitorja

October 30, 2022
min lexim

U luajtën këtë fundjavë ndeshjet e javës së katërt të kampionatit të vajzave, teksa spikati derbi i kryeqytetit, Partizani – Tirana. Kjo sfidë përfundoi me shifrat 2-3 në favor të vajzave bardheblu, që arritën të merrnin 3 pikët në minutat shtesë të takimit me një gol të Rexhina Maxhalakut.

Një ndeshje vërtetë emocionuese, që pa vajzat e Partizanit të kalonin në fillim në avantazh, me një gol të Taullaj që në minutën e 10-të. Barazimi i rezultatit erdhi nga këmbët e Jehona Cokës në minutën e 30-të, teksa 7 minuta më vonë, realizoi edhe golin e epërsisë për vajzat bardheblu. Në fraksionin e dytë të lojës, Loci shënoi golin që baraspeshoi sfidën dhe kur gjithçka dukej se kishte mbaruar, Rexhina Maxhalaku gjeti golin që i dha tre pikët ekipit të saj.

Nga ana tjetër, Apolonia u rikthye te fitorja, pasi mundi me shifrat e thella 0-9 skuadrën e Laçit. Troka ishte pa dyshim protagonistja kryesore e kësaj ndeshje, me 6 gola të shënuar, teksa regjistruan emrin e tyre në këtë fitore edhe Hamonikaj, Mema e Ndoj. Aktualisht, fieraket janë në kuotën e 9 pikëve, po sa Tirana që ka një ndeshje më pak në kampionat.

Vllaznia vijon me ecurinë pozitive, teksa këtë të diel mundi Skënderbeun në shtëpi me rezultatin 6-0. Doçi e Bashka realizuan nga një dopietë në këtë sfidë, teksa rrugën e rrjetës e gjetën edhe Franja e Gjini. Në katër javë, kampionet në fuqi kanë marrë katër fitore, duke mos njohur humbje.

Teuta – Kinostudio ishte një tjetër sfidë e fortë e kësaj fundjave, e luajtur në Durrës. Kryeqytetaset morën fitoren e parë sezonale, në një ndeshje që prodhoi shumë gola e emocione për të dyja skuadrat. Skuadra e Kinostudios kaloi e para në avantazh me Baftian në minutën e 18-të, ndërsa në minutën e 23-të, Gashi realizoi edhe golin e dytë për kryeqytetaset. Bushi ngushtoi rezultatin pak minuta më vonë, teksa po në fraksionin e parë të lojës, Xhabafti e Kadiolli gjetën sërish rrugën e rrjetës. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Kinostudios, 4-1, ndërsa gjatë fraksionit të dytë të lojës, Teuta zhvilloi një lojë spektakolare duke barazuar shifrat në harkun e 12 minutave me Malajn, Delilajn e Pucën. Megjithatë, nuk mungoi as kundërpërgjigjja e Kinostudios, që gjeti sërish avantazhin me Nickun e Gashin.

Sakaq, edhe Lushnja u mund në shtëpi nga Kukësi, që gjithashtu mori fitoren e parë këtë edicion. Katër gola të Rosela Vasës i dhanë fitoren ekipit verior, që është në kuotën e tre pikëve në kampionat në këtë sezon të ri.

Ndeshjet e javës së katërt në kampionatin e vajzave:

Partizani 2-3 Tirana

Skënderbeu 0-6 Vllaznia

KF Laçi 0-9 Apolonia

Teuta 4-6 Kinostudio

Lushnja 0-4 Kukësi

Renditja pas javës së katërt:

Vllaznia 12 pikë

Apolonia 9 pikë

Tirana 9 pikë

Partizani 6 pikë

Kukësi 3 pikë

KF Teuta 3 pikë

Kinostudio 3 pikë

Skënderbeu 3 pikë

Lushnja 0 pikë

KF Laçi 0 pikë

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

SHBA, dëbimi nuk pengon prurjet e migrantëve nga Venezuela

Story i radhës

Edhe Dafina Zeqiri bëhet xheloze për Dj Geek/ Këngëtarja sapo na tregoi si duhet të takohet partneri i saj me vajzat e tjera

Të fundit nga

Drilon Ganiu, sekretar Gjeneral i FFM-së

Pas zgjedhjes së kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Masar Omeragiq, ky i fundit në mbledhjen e mbajtur emëroi bashkëpunëtorët e tij me të cilët do të operojë në federatën më
ShkoLartë