Titull, pronarë të rinj dhe merkato. Skuadra e Milanit është në avantazh krahasuar me rivalët në lidhje me fitimin e kampionatit, teksa kalimi i kuqezinjve nga Elliot te Investcorp është një hap larg akordit zyrtar.
Fondi nga Bahrejni dëshiron të prezantohet me dhurata përpara popullit milanist dhe një nga goditjet e mëdha të tyre mund të jetë Christopher Nkunku.
24-vjeçari francez pëlqehet shumë nga dyshja Maldini-Massara. Ai ka shkëlqyer këtë sezon me Leipzigun, duke ia dalë të regjistrojë 30 gola dhe 20 asiste në 40 ndeshje me nënkampionët e Gjermanisë.
Nkunku, i cili debutoi me kombëtaren franceze në miqësoret e marsit, mund të luajë si sulmues i dytë dhe sulmues krahu, teksa trajneri Tedesco e ka aktivizuar në disa raste edhe si një numër 9 fals.
Teknikë, shpejtësi dhe efikasitet përpara portës kundërshtare. Nkunku është profili i lojtarit që i mungon Milanit, që duhet të shpenzojë 60 milionë euro për ta transferuar në Milanello.