As sezoni pozitiv turistik nuk e ka frenuar tendencën në rënie të thirrjeve nga rrjetet celulare.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në tremujorin e tretë të vitit trafiku i thirrjeve celulare pësoi rënie me 12.8% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Trafiku pësoi tkurrje në të gjitha segmentet kryesore, përfshirë thirrjet brenda rrjetit, ato jashtë rrjetit dhe drejt rrjeteve kombëtare fikse. Rritje pësuan vetëm thirrjet ndërkombëtare, të nxitura ndoshta nga një prani më e madhe e jorezidentëve në territorin shqiptar. Rënie pësoi edhe numri i mesazheve të shkruara, me 4.2% më pak krahasuar me një vit më parë.
Mesatarisht, një përdorues i telefonisë celulare konsumoi 148 minuta në muaj, shifër kjo 20% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 16 mesazhe të shkruara në muaj, 12% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Megjithëse në fakt shqiptarët nuk po e përdorin më pak telefonin celular, të dhënat e mësipërme janë dëshmi e tërthortë e faktit se komunikimi tashmë po zhvendoset me shpejtësi drejt internetit dhe aplikacioneve të bazuara mbi të. Statistikat e AKEP tregojnë se në tremujorin e tretë trafiku i internetit nga rrjetet celulare shënoi një rekord të ri prej 52 milionë GB (Gigabyte), në rritje me 14% krahasuar tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Një përdorues konsumoi mesatarisht 7.4 GB në muaj, në rritje vjetore me 6.5%.
Treguesit e përdorimit mesatar gjatë tremujorit të tretë janë ndikuar ndjeshëm edhe nga rritja e numrit të përdoruesve aktivë gjatë tremujorit të tretë, me 8.8% më shumë krahasuar me me një vit më parë. Kjo mund të shpjegohet me aktivizimin e numrave të rinj nga përdorues të përkohshëm, si turistë apo emigrantë të kthyer për pushime. Megjithatë, shifrat tregojnë një lloj anomalie në tendencën e numrit të përdoruesve sipas operatorëve. Rritja e numrit të përdoruesve të rinj ka ardhur në masën dërrmuese nga një operator i vetëm, Vodafone Albania, që ka raportuar rritje vjetore të përdoruesve aktivë me 21.6%. ONE raportoi një rritje të lehtë me 3%, ndërsa Albtelecom rënie me 10.8%.
Përdorimi i shërbimeve celulare nga shqiptarët po orientohet gjithnjë e më shumë drejt internetit, në përputhje me tendencat globale. Kjo tendencë e bën cilësinë e ofrimit e shërbimit një element gjithnjë e më të rëndësishëm mes operatorëve. Krahasuar me shërbimet bazike të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara sms, ofrimi i shërbimit cilësor të transmetimit të të dhënave është më i kushtueshëm, sepse kërkon më shumë frekuenca dhe më shumë investime në infrastrukturë rrjetesh dhe në teknologji.
Tregu celular ndodhet gjithashtu në prag të një ndryshimi të rëndësishëm strukturor. Bashkimi mes ONE dhe Albteelcom në fillim të vitit 2023 do të ulë numrin e operatorëve, por do të sjellë edhe një rishëprndarje të frekuencave në dispozicion të tyre. Në fillim të këtij muaji, tre operatorët dorëzuan në AKEP një marrëveshje, në bazë të të cilës Albtelecom do të transferojë te Vodafone Albania tre blloqe të spektrit të frekuencave, ndërsa ONE dy të tilla. Në përfundim, marrëveshja parashikon një përpjesëtim të ri të spektrit në masën 51% për One dhe 49% për Vodafone, nga 59% (pjesa e përbashkët ONE-ALbtelecom) me 41% që është aktualisht.
Vitin e ardhshëm pritet që AKEP të tenderojë edhe frekuencat e para për zhvillimin e teknologjisë 5G, që pritet të rrisë shpejtësinë e ofrimit të shërbimit të internetit nga rrjetet celulare. Por, nga ana tjetër, përqendrimi i tregut, nevoja për investime të reja dhe përfitueshmëria e dobët e operatorëve në vitet e fundit janë sinjale që paralajmërojnë rritje të çmimeve për përdoruesit e shërbimeve celulare.
/Monitor