Nuk ka ndryshim në qëndrimin e VMRO-DPMNE-së, për ndryshimet kushtetuese, pas mesazheve të djeshme që i dërgoi nga foltorja e kuvendit, presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmaer. I pyetur nëse partia e vlerëson fjalimin e Shtajnmaerit për pjesë të presionit ndërkombëtar, për ndryshim të Kushtetutës, deputeti Bojan Stojanovski u përgjigj se VMRO-DPMNE nuk është parti që i nënshtrohet presioneve.
“Ai dje e shprehu qëndrimin e tij personal. VMRO-DPMNE është parti popullore, dhe qëndrimet e veta i artikulon sipas mendimit të popullit, dhe ne gjithnjë do të mbetemi në qëndrimin e popullit të RM-së, sepse kjo është esenca e funksionimit tonë. Në këtë moment, si dhe në momentet që janë para nesh, nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit dhe VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë ndryshime kushtetuese me këto kushte”, deklaroi Bojan Stojanovski- deputet i VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski, theksoi se Shtajnmaer ka dërguar një mesazh të rëndësishëm, dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve, siç thotë, të shikojnë para. Sipas tij, nga agjendat personale dhe politike askush në shtet nuk ka leverdi, dhe vlerësoi se opozita nuk ka arsye pse ta bllokojë procesin.
“Edhe njëherë e përsëris, siç tha presidenti gjerman, nuk duhet ta pengojmë veten në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Të gjithë deputetët në Kuvend këtë ia kanë borxh qytetarëve”, u shpreh Dimitar Kovaçevski- kryetar i Qeverisë.
Presidenti gjerman de potencoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese është shumë më shumë se temë për fitimin e pikave politike-partiake, dhe se nuk është koha të bien në zëra nacionaliste. Shtajnmaer apelon të futen bullgarët në kushtetutë, që të vazhdojnë negociatat pa pengesa për anëtarësim në BE.
Burimi:________