Mesfushori spanjoll Thiago Alcantara është duke e shijuar muajin më emocionues të karrierës së tij, ndërsa Liverpooli është duke u përgatitur për një program tejet të vështirë të ndeshjeve të muajit prill.
Skuadra e Jurgen Klopp do të zhvillojë tetë ndeshje në muajin prill, ku është në garë për katër trofe të ndryshëm.
“Të Kuqtë” janë në garë për titullin e Premier Ligës angleze, të FA Cup dhe të Ligës së Kampionëve, pasi që fituan titullin e Carabao Cup këtë sezon.
Liverpooli do të përballet me liderin e tabelës Manchester Cityn në dy ndeshje, fillimisht në Premier Ligë e më pas në gjysmëfinale të FA Cup, ndërsa më pas do të zhvillojë dy ndeshjet e çerekfinales së Ligës së Kampionëve kundër skuadrës së Benficas.
Ndërkaq, mesfushori spanjoll Thiago është tejet i emocionuar për të luajtur kaq shumë ndeshje, ku secila ka rëndësi të madhe.
“Kurrë nuk kam pasur, në tërë këto vite që kam qenë i përfshirë në futboll, unë nuk kam pasur kurrë një muaj kaq emocionues si ky me ndeshje tejet të rëndësishme dhe emocionuese çdo tre ditë. Kështu që do të jetë e mrekullueshme”, tha Thiago.
“Sigurisht që është emocionuese sepse je duke u përballur kundër më të mirëve, në garat më të mira, edhe sepse na e rikujton që ne jemi në finale. Duket sikur një Kupë e Botës, një Kupë e Evropës, ku çdo ndeshje është finale. Si pasojë e kësaj ne jemi në një ndjenjë të një misioni dhe ne jemi aty”, shtoi më tej ylli i Liverpoolit.
Gjiganti anglez Liverpool i rikthehet aksionit në Premier Ligë këtë të shtune ku do të përballet me skuadrën e Watford, dhe në rast fitoreje do të ishte lideri i ri i tabelës deri sa të zhvillohet takimi mes Burnleyt e Manchester Cityt.