Nuk kanë fund telashet për Mason Greenwood i cili gjendet nën akuzë nga një vajzë 18-vjeçare.
Studentja pretendon se sulmuesi i Manchester United ka abuzuar seksualisht me të, e ka dhunuar si dhe e ka kërcënuar se do t’i marrë jetën.
Greenwood që u arrestua në muajin janar pas disa fotove dhe videove të publikuara ku dalloheshin qartësisht shenjat e dhunës tek vajza, fitoi lirinë me kusht në muajin shkurt.
Por, tashmë është sërish në telashe dhe rrezikon të përfundojë pas hekurave duke qenë se ka thyer rregullat e lirimit me kusht dhe ka kontaktuar me vajzën që e denoncoi.
Policia e Manchesterit është njoftuar menjëherë dhe do të dalë në një përfundim pasi të marrë në pyetje lojtarin me Greenwood që rrezikon shumë.
Në rrisk është edhe karriera si futbollist e 21-vjeçarit me klubin e Manchester United që për momentin e ka pezulluar britanikun edhe pse vijon të paguajë rrogën e tij prej 75.000 paund në javë. Por, nëse akuzat provohen dhe Greenwood shpallet fajtor, atëherë “njolla” do ta dëmtonte në çdo aspekt, sidomos atë profesional.