Sot është themeluar klasa e Karrierës në kuadër të SH.M.U. 2 në Vushtrri.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se kjo është një iniciativë unike në nivel të shkollave të mesme të ulëta në Kosovë.
Idrizi ka thënë se kjo klasë përfaqëson një hap të madh drejt ngritjes së cilësisë në arsim dhe krijimit të mundësive më të mira për orientimin e nxënësve në të ardhmen e tyre profesionale.
“Kabineti i ri i Karrierës është pajisur me teknologji bashkëkohore, përfshirë llaptopë të rinj dhe ambiente të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve interaktive. Është investuar edhe në përmirësimin e kushteve fizike, siç është ndërrimi i dyshemeve, duke krijuar një hapësirë më të përshtatshme për mësim dhe reflektim”, ka thënë Idrizi.
Ai është shprehur se ky është një premtim dhe një angazhim personal për t’u ardhur në ndihmë nxënësve në një periudhë të veçantë të zhvillimit të tyre.
“Mosha e shkollës së mesme të ulët është ndër më të rëndësishmet për orientimin në karrierë, dhe kjo klasë është një mjet konkret për të mbështetur rrugëtimin e secilit nxënës drejt një të ardhmeje më të ndritur”, ka shtuar Idrizi.
Burimi: botasot.info