the guardian evropa po humbet me shpejtesi ujin e embel 692c65f31c58b

“The Guardian”: Evropa po humbet me shpejtësi ujin e ëmbël

November 30, 2025
min lexim

Pjesë të mëdha të Evropës po humbin me shpejtësi ujin e ëmbël, sipas një analize të madhe të të dhënave satelitore që përfshijnë një periudhë prej më shumë se dy dekadash.

Shkencëtarët në “University College London”, në bashkëpunim me “Watershed Investigations” dhe gazetën “The Guardian”, zbuluan se sasia totale e ujit ka rënë ndjeshëm në Evropën jugore dhe qendrore – nga Spanja dhe Italia deri në Poloni dhe pjesë të Mbretërisë së Bashkuar.

Duke përdorur satelitë që zbulojnë ndryshime të imëta në fushën gravitacionale të Tokës, studiuesit arritën të “peshojnë” ujin nëntokësor, liqenet, lumenjtë, lagështinë e tokës dhe akullnajat.

Rezultatet tregojnë një kontinent gjithnjë e më të ndarë: ndërsa rajonet veriore dhe veriperëndimore, përfshirë Skandinavinë dhe disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Portugalisë, janë bërë më të lagështa, një pjesë e madhe e jugut dhe juglindjes ka pësuar tharje dramatike.

Ndryshimet klimatike shihen qartë në të dhënat, thonë shkencëtarët.

“Kur i krahasojmë të dhënat e rezervave ujore tokësore me grupet e të dhënave klimatike, tendencat përputhen gjerësisht”, ka thënë Mohammad Shamsudduha, profesor i krizës së ujit dhe reduktimit të rrezikut në “University College London”.

Uji nëntokësor – që shpesh konsiderohet më i qëndrueshëm – gjithashtu është në rënie.

Mbretëria e Bashkuar pasqyron çekuilibrin më të gjerë të kontinentit.

“Në përgjithësi, perëndimi po bëhet më i lagësht ndërsa lindja po thahet, dhe ky sinjal po bëhet gjithnjë e më i fortë”, ka thënë Shamsudduha.

Ai ka paralajmëruar se ndryshimet në modelet e reshjeve, duke përfshirë shira më të rrëmbyeshëm dhe periudha më të gjata thatësire, mund të sjellin “sfida serioze”, veçanërisht në juglindje të Anglisë, ku rreth 70 për qind e ujit të pijshëm vjen nga uji nëntokësor.

Në gjithë BE-në, marrja e ujit nëntokësor (përkohësisht ose përgjithmonë) është rritur me 6 për qind që nga viti 2000, pavarësisht se përdorimi i përgjithshëm i ujit ka rënë. Komisioni Evropian thotë se strategjia e tij për qëndrueshmërinë e ujit synon t’i ndihmojë vendet të përshtaten, ndërsa humbjet në rrjet variojnë nga 8 deri në 57 për qind.

Hidrologët paralajmërojnë se Evropa nuk po vepron mjaftueshëm shpejt. “Është shqetësuese të shohësh këtë trend afatgjatë”, ka thënë Hannah Cloke nga Universiteti i Readingut. “Pranverën dhe verën e ardhshme, nëse nuk marrim sasinë e reshjeve që na duhet, do të ketë pasoja serioze këtu në Angli”, ka theksuar ajo.

Ajo ka paralajmëruar se rezervuarët e rinj nuk do ta zgjidhin vetë krizën. “Thjesht nuk po i bëjmë këto gjëra me ritmin e duhur për t’i mbajtur hapat me këto prirje afatgjata”, ka deklaruar Cloke.

Shamsudduha ka thënë se Evropa duhet të përgatitet për ndikimet e një klime që po thahet, e cila mund të prekë bujqësinë, ekosistemet dhe madje edhe importet ushqimore. “Duhet ta pranojmë që ndryshimet klimatike janë të vërteta, po ndodhin dhe po na prekin”, ka theksuar ai.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

murati opozita duke e bllokuar shtetin mendoi tia lere fajin kurtit 692c65206af52
Lajmi i mëparshëm

Murati: Opozita, duke e bllokuar shtetin, mendoi t’ia lërë fajin Kurtit

netanyahu kerkon falje presidenciale per akuzat per korrupsion 692c6634670fd
Lajmi i radhës

Netanyahu kërkon falje presidenciale për akuzat për korrupsion

Të fundit nga

Genci ka një pyetje të thjeshtë: Pse na dy?

Muzika është pasion i tij. E së fundmi, artisti Genci ka lansuar edhe një këngë të re, duke përmbushur këtë pasion. Ai në kanalin Youtube ka hedhur projektin muzikor, të titulluar ‘Pse
ShkoLartë