Thatësira po prek rreth gjysmën e territorit të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa 9 për qind e gjithë territorit ndodhet në nivelin më të rëndë të alarmit. Situata po prek lumenjtë, bujqësinë dhe prodhimin e energjisë, veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Jugore.
Sipas të dhënave të Observatorit Evropian të Thatësirës, rreth 50% e territorit të BE-së dhe Britanisë së Madhe është nën një nivel të caktuar thatësire, ndërsa 9% është në nivelin më të rëndë, atë të alarmit.
Zonat më të prekura shtrihen nga Franca, Gjermania jugore dhe Italia veriore, përgjatë gjithë pellgut të Danubit, deri në pjesë të Ballkanit dhe Spanjës verilindore.
Në lumin Po, autoritetet italiane kanë vlerësuar situatën hidrologjike në nivelin 6 nga 7, ndërsa depërtimi i ujit të kripur nga Adriatiku ka prekur deltën dhe kanalet e ujitjes. Në Danub, nivelet kanë rënë në nivele historike pranë kufirit me Serbinë, duke penguar lundrimin dhe furnizimin me ujë për ujitje në Hungari dhe Rumani.
Mungesa e ujit po ndikon edhe në prodhimin e energjisë. Në Francë, tre reaktorë bërthamorë u mbyllën dhe tetë të tjerë punuan me kapacitet të reduktuar për shkak të problemeve me ujin për ftohje.
Ndërkohë, nivelet e ulëta të lumenjve po kufizojnë transportin në Rhein dhe po vështirësojnë ftohjen e centralit bërthamor të Paksit në Hungari. Sipas Qendrës së Përbashkët për Hulumtime të Komisionit Evropian (JRC-së), prodhimi i drithërave pritet të jetë rreth 1% nën mesataren e pesë viteve të fundit.
Burimi: botasot.info


