Është mbyllur protesta e 82-të qytetare në Tiranë, e zhvilluar kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Pas përfundimit të fjalimeve në shesh, protestuesit kanë vijuar tubimin me një marshim në rrugët e kryeqytetit, duke shoqëruar lëvizjen me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.
Dorëheqja e Edi Ramës ka vijuar të jetë kërkesa kryesore e protestuesve, të cilët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Gjatë protestës, aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se kërkesa e parë mbetet largimi i Ramës, ndërsa kërkoi edhe krijimin e një qeverie tranzitore 12-mujore që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira.
“Kërkojmë dorëheqjen e Ramës, së dyti kërkojmë krijimin e një qeverie tranzitore 12-mujore që do ta çojë vendin në zgjedhje të lira dhe demokratike”, u shpreh Vatnikaj.
Ajo renditi edhe kërkesa të tjera të protestuesve, mes tyre anulimin e Paktit të Maleve, ligjit për Investimet Strategjike dhe ligjit për zonat e mbrojtura, si dhe ndryshimin e sistemit politik.
Edhe aktivisti Gent Progni foli për nevojën e ndryshimit të sistemit dhe forcimit të institucioneve. Sipas tij, Shqipëria mund të ndryshojë brenda një viti nëse vendosen rregulla dhe mekanizma të fortë transparence.
“Problemi nuk është Shqipëria, por mënyra si administrohet Shqipëria. Nuk kemi nevojë për një njeri të fortë që të na shpëtojë, na duhet një sistem i fortë që të mos ketë rëndësi kush është kryeministër”, deklaroi Progni.
Ndërsa Arben Kola bëri thirrje për bashkim dhe vijimin e protestës, duke akuzuar qeverinë se do të tentojë ta dobësojë lëvizjen qytetare.
“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos shpërqendrohemi nga tentativa të ndryshme. Ramovici do të tentojë me çdo mjet për ta zhbërë këtë protestë”, tha Kola.
Gjatë marshimit, qytetarët kanë përsëritur disa prej thirrjeve të dëgjuara edhe gjatë protestës, mes tyre “Arrestoni Ramën”, “Arresto Ballukun”, si dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Protestuesit kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa marshimi në rrugët e Tiranës është mbyllur me thirrjen “Nesër më shumë!”
Burimi: botasot.info


