Thanë se kanë zënë aq shumë rob lufte sa që nuk po kanë hapësirë për t’i akomoduar, Kievi publikon pamjet e dorëzimit të ushtarëve rusë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka deklaruar sot se kundërofensiva e tyre ka filluar të japë efektet, ku shumë ushtarë rusë po dorëzohen.
Madje sipas tij, numri i ushtarëve rusë të zënë rob është aq i madh, sa që nuk po kanë hapësirë të mjaftueshme për t’i akomoduar.
E për të mbështetur këto pretendime, ukrainasit kanë publikuar fotografi të ushtarëve të shumtë rusë, që janë dorëzuar dhe shihen të uniformuar dhe shtrirë në tokë.
Sipas kundërzbulimit të ushtrisë ukrainase, ushtarët e Moskës hodhën në tokë armët dhe u dorëzuan para ushtarëve ukrainas – duke e kuptuar se janë në një situatë të vështirë.
Në anën tjetër, kundërofensiva ukrainase i ka detyruar forcat ruse që të tërhiqen nga shumë qytete që ishin mbajtur të okupuara nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Presidenti rus Vladimir Putin i pakënaqur me ushtrinë e tij – ka filluar të shkarkojë krerët e lartë ushtarak, me shpresën se pasardhësit do të jenë më “efektiv”.
Ndërkaq një video tjetër shfaq helikopterin e ushtrisë ukrainase, i cili fluturon shumë ulët dhe vazhdimisht shkrep raketa në drejtim të objektivave të ushtrisë ruse.