Malisheva është njoftuar me humbjen e dytë në kampionat, pas humbjes nga Gjilani tani është skuadra e Drenicës e cila i shkakton disfatën skuadrës nga Liman Gegaj.
Pas një starti të vështirë për Drenicën, në dy ndeshjet e fundit kanë arritur të arkëtojnë plotë katër pikë, ndërsa Malisheva pas fitores së madhe në mesjavë ndaj Ferizaj, u rikthye te humbja në shtëpinë e tyre.
Trajneri i skuadrës bardhekaltër, Arsim Thaçi pas ndeshjes ishte tejet i revoltuar me gjyqtarin kryeson, sipas trajnerit të Malishevës ndihma më e madhe e Drenicës ishte pikërisht nga gjyqtari.
“Pa dashur të justifikohem për humbjen, ndihma më e madhe për kundërshtarët ishte gjyqtari kryesor.
Një referim i tillë nuk i ndihmon futbollit të Kosovës. Në pjesën e parë pati shumë ndërprerje, nuk pati ritëm loja.
Kjo lojë i konvenon Drenicës dhe disa ekipeve tjera, neve jo. Në pjesën e dytë morëm masat që të ishim ekipi që duhej të ishim, apo që ishim me Ferizajn, por është e çuditshme se si anulohet ky gol. Megjithatë, duhet të merremi me lojën tonë e më pak me referim”, ka thënë Thaçi pas ndeshjes, transmeton gazeta Olle.