Qytetarët e Tetovës tash mbeturinat e forta mund t’i hedhin në rrugën për në fshatin Trebosh ku komuna bashkë me kompaninë “Saubermacher” kanë hapur një pikë grumbullimi. Këtu materialet e hedhura edhe do të mund të riciklohen, tregoi kryetari i Tetovës Bilall Kasami.
“Për të gjithë ata që mbeturinat i kanë hedhur përreth kontejnerëve do të duhet t’i sjellin në këtë lokacion. Behët fjalë për një projekt të rëndësishëm në drejtim të kushteve më të mira sa i përket pastërtisë së qytetit dhe unë besoj se në bashkëpunimin me qytetarët kjo do të jetë një hap drejtë zgjidhjes përfundimtare sa i përket çështjes së pastërtisë. Bëhet fjalë për vendosjen e 10 kontejnerëve nga 5 metër kub ku do të mund qytetarë të sjellin llojet të ndryshme të mbeturinave apo fraksione të ndryshme të mbeturinave”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Përfaqësues të kompanisë “Saubermacher” thonë se nëse kjo fazë jep rezultate, do të ketë edhe pika të tjera.
“Në fazën e parë do grumbullojmë mbetje të forta, letër, plastikë dhe elektronikë, ndërsa me kalimin e kohës do zgjerohet kjo pikë. Nëse kjo pritet mirë nga qytetarët, vitin e ardhshëm, do të krijojmë edhe një qendër tjetër për grumbullim, në anën tjetër të qytetit që ta kenë banorët më afër”, u shpreh Robert Çajiç – Saubermacher..
Lokacioni ku do të grumbullohen këto mbetje është marrë me qira, të cilën e paguan komuna, por kryetari Kasami nuk e dinte se sa do të paguajnë.
“Qiranë e paguan komuna sepse në bazë të marrëveshjes komuna duhet t’i siguroj lokacion ose tokë shtetërore ose t’i paguaj qira dhe për lokacionin në Pallçisht që janë zgjidhje e përkohshme deri sa nuk gjejmë tokë shtetërore, ne si komuna sigurojmë lokacionet dhe nëse janë tokë private ne paguajmë edhe qira.
-Sa është qiraja?
-Duhet me komunën këtë do ua japim si përgjigje me shkrim”, theksoi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Pas mbarimit të ngjarjes dërguam pyetje në komunën e Tetovës, se sa është qiraja, kohëzgjatja e kontratës dhe se kujt do t’i paguaj komuna qira, por nuk morëm përgjigje.
Burimi: TV21