Edhe në Shtëpitë e Shëndetit në Kumanovë dhe Tetovë, ka dhjetëra të punësuar të cilët për momentin punojnë pa paga për shkak se Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë nuk i kanë përfunduar në kohë procedurat për përgatitjen e kontratave për punë, ose vendimeve të përhershme. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë, Faruk Aliji thotë se prej para vitit të ri i ka dërguar kërkesat në Ministritë përkatëse, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Siç thotë Aliji, pjesë e personelit për të cilët kërkohet të vazhdohen kontratat e punës janë edhe motrat patronazhe të cilët kanë qenë në vijë të parë të frontit gjatë Covidit, por pa të cilat edhe tani institucioni i tyre nuk mund të funksionojë.
“Numri i përgjithshëm është diku 45 – 50 arrijnë sepse kohë pas kohe vijnë mjek, largohen, vijnë motra largohen dhe numri sillet 45 – 50. Këtu dua të theksoj se pa këtë staf mjekësor, sidomos pa motrat ne si instituicon e kemi problem të funksionojmë, pasi siç e dini këto 26 motra sa kanë qenë në kohën e Covidit këto kanë qenë të angazhuara në vijë të parë, në ndihmën e shpejtë, në vizita shtëpiake në ambulanten urgjente, do të thotë këto kanë qenë ata motra të cilët i kanë pritur pacientët me kovid”, u shpreh Faruk Aliji, Shtëpia e Shëndetit.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë thotë se për 16 infermiere nuk ka ende përgjigje për tu vazhduar kontrata e punës. Bronisllav Jorgaqievski thotë se në këtë institucion vazhdimisht rrutet mungesa e kuadrit profeisonal për shkak edhe të pensionimeve.
“Ne kemi përgatitur në planin vjetor për punësim për vitin 2023 të cilët na janë zbrazur për shkak të pensionimit në vitet e kaluara dhe presim të marrim përgjigje pozitive këtë vit, për shkak se ja ky rast që ishte me Grupçinin por edhe të tjera që do të hapeshin në të ardhmen me pensionimin e infermiereve tjera dhe personelit mjekësor do të mbulohet në kohë”, deklaroi Bronisllav Jorgaqievski, Shtëpia e Shëndetit – Tetovë.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigjën nëse për të punësuarit në Shtëpitë e Shëndetit në Kumanovë dhe Tetovë kanë marrë pëlqimet nga Ministria e Financave dhe se cili do të jetë fati i të punësuarve në këto institucione shëndetësore. Ditë më parë 140 të punësuar në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup e ngritën zërin se punojnë për më shumë se dy muaj pa paga dhe pa sigurim dhe pa e ditur nëse do tu vazhdohen kontratat e punës. Pas reagimit të punonjësve Ministria e Financave dhe e Shëndetësisë u përgjigjën se procedurat për këto të punësuar janë në përfundim e sipër. Por drejtori Besim Koka deklaroi se ende nuk kanë pranuar përgjigje përfundimtare nga Ministritë përkatëse. /Alsat.