Për drejtësi, paqe, solidaritet e bamirësi është lutur, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Ai ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës ka folur edhe për haxhin e therjen e kurbanit, ku theksoi se të dyja këto duhet të bëhen në emër të krijuesit.
Myftiu Naim Tërnava ka theksuar se pas dy vitesh, këtë vit besimtarëve iu mundësua udhëtimi drejt vendeve ku kryhet haxhi.
Tërnava: Në këtë ditë të madhe i bashkëngjitëm lutjeve të besimtarëve myslimanë
“Me këtë rast, në këtë ditë të madhe, kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emrin tim, t’u bashkëngjitëm lutjeve e ibadeteve të besimtarëve myslimanë që sot janë në rrafshnaltën e Arafatit, ku të gjithë të veshur me petkun e bardhë – me ihrama, të barabartë e pa asnjë dallim, me çiltërsinë shpirtërore e me bindje dhe sinqeritet, kanë nisur kryerjen e obligimeve të haxhit. Haxhilerët nga trojet tona, sikurse haxhilerët e tjerët nga e gjitha bota, në këtë ditë të madhe luten me përkushtim e devocion dhe i drejtohen Krijuesit të Gjithësisë, duke dëshmuar kështu besimin dhe përkushtimin e tyre ndaj Tij”, ka thënë Tërnava.
Devotshmëria, barazia e sakrifica, janë disa nga mesazhet e këtij Bajrami që përmendi myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Ai shtoi se haxhi është një nga shtyllat e fesë islame dhe një nga obligimet më të dashura për njeriun.
Tërnava: Haxhi dhe kurbani janë dimensionet kryesore të kësaj feste
“Mesazhet e festës së Kurban-Bajramit janë devotshmëria, barazia, sakrifica, flijimi e solidariteti, vlera këto që shprehen si nga haxhilerët që gjenden në Qabe për të kryer haxhin, po ashtu edhe nga besimtarët myslimanë që gjenden gjithandej nëpër shtëpitë dhe familjet e tyre. Lutjet, ibadetet, devotshmëria, përkushtimi e sakrifica që e karakterizojnë Kurban-Bajramin, me të gjitha ritualet e tjera, përfshirë edhe haxhin dhe kurbanin si dimensionet kryesore të kësaj feste, krijojnë një reflektim shpirtëror, që besimtarin e fisnikërojnë edhe më shumë, e bëjnë më human dhe më të dobishëm për rrethin dhe shoqërinë”, ka shtuar Tërnava.
Derisa ka folur për therjen e kurbanit, ai u shpreh se dobitë e tij duhet t’i përfitojnë kategoritë e shoqërisë dhe institucionet në nevojë.
Tërnava: Në Kuranin fisnik, myslimanët urdhërohen të prejnë kurban në emër të Zotit
“Në Kuranin fisnik, besimtarët myslimanë në këto ditë të caktuara feste, urdhërohen që të prenë kurban në emër të Zotit, porse dobitë e tij t’i përfitojnë kategoritë e shoqërisë dhe institucionet në nevojë”, ka shtuar Tërnava.
Ai ka shtuar se dy festat e bajrameve janë më populloret për besimtarët myslimanë.
Tërnava: Festat fetare te ne kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale
“Festat fetare te ne, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë, ndaj, ne lutemi dhe urojmë që edhe ky Bajram të jetë në frymën e tillë. Duke ju uruar për festën e madhe të Kurban-Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja”, ka uruar Tërnava.
Festa e Kurban Bajramit është e njohur si “Bajram i haxhive”, sepse gjatë kësaj kohe kryhet edhe pelegrinazhi ritual në Mekë.